Partizani fiton me vuajtje ndaj Laçit; Skënderbeu mund Vllazninë

08/11/2015 00:00

Partizani merr fitoren e 9 radhazi në Kategorinë Superiore dhe vazhdon të mbajë i vetëm kreun e saj me 28 pikë. Edhe pse me pak vështirësi, këtë herë të kuqtë e Starovës mposhtën 2-3 Laçin, skuadrën e vetme që nuk e kishin mundur në fazën e parë.

Ndeshja nisi me dy gola të shpejtë, Fazlliu për Partizanin dhe Gocaj për Laçin. Pas këtij momenti, loja luhet më shumë në mesfushë, ndërkohë që skuadrat kërkojnë të befasojnë me kundërsulme. Në një moment të tillë, Partizani rigjen golin e dytë. Ishte Stipe Buljan i cili në kërkim të spastrimit të zonës e dërgoi topin në portën e tij. Kundërpërgjigja e laçianëve ishte sërish e shpejtë, këtë herë me nigerianin Xhejms.

Partizani e nisi edhe pjesën e dytë me gol. Mazrekaj kaloi sërish në avantazh të kuqtë, të cilët e administruan fitoren deri në fundin e ndeshjes.

Skenderbeu përmbysi rezultatin dhe mposhti 3-1 Vllazninë, një emër i madh i futbollit tonë që vazhdon të mbetet në krizë dhe në fund të klasifikimit. Edhe pse shënuan të parët me Sozën, shkodranët nuk arritën të mbanin presionin e ushtruar nga kampionët në fuqi. Salihi shënoi dy herë në portën Vllaznisë, ndërkohë që golin e fundit e shënoi Oliainka. Me këtë fitore, Skënderbeu vazhdon të mbajë hapin e Partizanit duke e mbajtur në 3 pikë diferencën me kryesuesit e kampionatit.

Kukësi barazoi 1-1 me Bylisin, një rezultat ky që solli dhe shkarkimin e trajnerit Marcelo Troisi. Vendimi i drejtuesve të Kukësit është marrë pasi tekniku brazilian nuk i ka plotësuar pritshmëritë e klubit për të formuar një skuadër të denjë për titullin kampion. Pas 10 javëve të para, Kukësi i Troisit ka fituar 5 ndeshje, ka barazuar 2 herë dhe ka pësuar 3 humbje, duke u renditur në vendin e katërt.

Top Channel