Referendumi britanik në qershor të 2016-s, në varësi të samitit të BE-së

09/11/2015 00:00

Kryeministri britanik, David Cameron preferon ta zhvillojë referendumin mbi qëndrimin apo jo të Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian në qershor të vitit të ardhshëm, nëse krerët e vendeve të tjera anëtarë bien dakord me pjesën më të madhe të planeve të tij për reformimin e bllokut në samitin e dhjetorit.

Lajmi raportohet këtë fillimjave nga tabloidi britanik “The Times”. Cameron kishte premtuar se do të rinegocionte lidhjet e Britanisë me bllokun 28-kombësh përpara referendumit që do të mbahej brenda vitit 2017.

Zyra e kryeministrit britanik ka bërë të ditur se qeveria e vendit ishullor ende nuk ka marrë ndonjë vendim mbi datën e referendumit. “Ashtu siç ka thënë kryeministri, ai që do të përcaktojë periudhën e mbajtjes së referendumit është rezultati i negociatave me BE-në, ndërkohë që afati më i largët e mundshëm është fundi i vitit 2017”.

Të martën, Cameron pritet të publikojë një letër të drejtuar Presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk, ku nënvizohen kërkesat e tij për reformim. Ai pritet gjithashtu të paralajmërojë se, nëse nuk do të arrihet marrëveshje, ai do të jetë në favor të daljes së Britanisë nga BE-ja.

Duke cituar burime zyrtare, “The Times” bën të ditur se aleatëve të BE-së u është thënë se, nëse samiti i dhjetorit i krerëve të BE-së do të shkojë siç duhet, Cameron do të preferonte ta zhvillonte referendumin brenda qershorit 2016. Sipas tabloidit, ai është nxitur prej udhëheqësve të tjerë të BE-së që të mos e shtyjë më tej referendumin, teksa një tjetër krizë refugjatësh pritet të godasë bllokun europian gjatë verës së ardhshme.

Ndërkaq, sondazhet tregojnë deri më tani se shumica e britanikëve janë në favor të qëndrimit brenda BE-së, edhe pse mbështetja për qëndrimin kundrejt largimit është ngushtuar gjatë muajve të fundit, teksa shumica e të anketuarve thonë se shqetësim mbetet pikërisht emigracioni.

Top Channel