Takimi me biznesin, Rama: Nuk do të ketë rritje taksash

09/11/2015 11:10

Kryeministri Edi Rama, në një takim me përfaqësues të biznesit i parapriu prezantimit publik të përfundimit të negociatave me FMN-në, duke deklaruar se nuk do të ketë rritje taksash dhe prekje të llogarisë kapitale.

“Mund të pararend ditën e nesërme, duke vënë theksin në dy aspekte: Së pari, nuk do të ketë rritje taksash, çfarë konfirmon se gjithçka është propaganduar për rënien e të ardhurave nuk ka lidhje me arsyet e gënjeshtërta që i janë servirur publikut, por gjendjen objektive të konjukturës ndërkombëtare si rritja e çmimit të naftës, mineraleve etj. Së dyti, nuk do të prekim llogarinë kapitale, pra do të vazhdojmë të investojmë”, tha Edi Rama.

Për kryeministrin Rama, një tjetër përgjigje ndaj atyre, që i quan pretendime të pavërteta se reformat e qeverisë nuk janë të duhurat, është përfundimi me sukses i operacionit të eurobondit.

“Pasi morëm atë që kërkonim në raport me eurobondin e vjetër, kemi një eurobond 450 mln euro dhe interes 5.75%, që është treguesi më kuptimplotë i punës dhe imazhit, që ka ndërtuar vendi në këtë rrugëtim”, tha më tej Edi Rama.

Por, në takimin që kishte në fokus rrugëtimin e qeverisë për të formalizuar ekonominë, biznesi ngriti shqetësimin e penalizimeve nga ana e tatimorëve për teknikalitete, si dhe kërkoi uljen e taksave.

“Në rast se ka kontrabandë shumë të lartë, të gjobitet me 10 mln edhe në burg të shkojë, por kur vlera është qesharake, të mos t’i lihet në dorë një tatimori të na çojë në dyert e prokurorisë”, tha Luan Bregasi.

“Taksa mbi dividentin, 15 për qind, është e çmendur. Të rishihet, përndryshe shteti bën ligjin, biznesi maliqin. Një tjetër taksë që vret konsumin është ajo mbi të ardhurat”, tha Donika Mici.

“Kush paguhet më shumë, paguan më shumë. Na ka rezultuar me sukses. Sa i përket taksës mbi dividentin vlen si propozim”, tha ministri Arben Ahmetaj.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se, për të shmangur problemet me rimbursimin e TVSH-së, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është ngritur Drejtoria e Rimbursimit, e cila në rastet kur biznesi ka tepricë kreditore kryen rimbursimin e TVSH-së automatikisht.

Po ashtu, bizneset që do të certifikohen fiskalisht nga auditues ndërkombëtarë, do të certifikohen si biznese pa risk, duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me Tatimet.

Top Channel