Azilantët shqiptarë, Hoffman: Ka dhe nga ata që kanë patur një punë këtu

09/11/2015 00:00

Diplomati gjerman në Tiranë tha se ata që po largohen nga Shqipëria nuk janë vetëm të varfërit dhe as nga zona të caktuara të Shqipërisë.

“Fatkeqësisht ne nuk kemi të dhëna të sakta se nga vijnë këta azilantë, po kemi një pamje të përgjithshme të këtyre të dhënave që flasin se ata vijnë nga e gjithë Shqipëria.. madje edhe njerëz që kanë patur një pagesë të mirë këtu, pra nuk ka të bëjë me varfërinë ekstreme, por kemi të bëjmë me njerëz që thjesht duan të ikin. Kjo duhet të jetë pjesë e një debati të madh kombëtar”, tha Hoffman.

Ambasadori ripërsëriti se Gjermania nuk pranon azil ekonomik, por vetëm përmes lejeve të punës mund të sigurohet qëndrimi atje. Por kushtet e mira të pritjes atje sikundër edhe pagesa që iu është dhënë azilantëve pranoi Hoffman, mund të ketë bërë pak konfuz këtë mesazh. Por këshilla e Hoffman për përballimin e kësaj situate që ai tha se vijon të jetë shqetësuese, është shmangia e debatit politik dhe dhënia shpresë njerëzve.

“Unë do ju jepja një mesazh të qartë: ta mbani larg debatit politik këtë çështje aq më shume sa të jetë e mundur. Unë e di që ka një perceptim të fortë, veçanërisht të të rinjve, se nuk ka të ardhme për ta këtu dhe kjo duket se ka të bëjë me zhvillimin e ngadaltë. Këshilla ime do të ishte të shihnit thellësisht, se çfarë duhet të ndryshojë për t’ju dhënë njerëzve një gjë shumë të rëndësishme, shpresën!!”, vijon Hoffman.

Nëse për azilantët, diplomati gjerman e pati të drejtëpërdrejtë mesazhin për politikën shqiptare, për trajtimin e investimeve të huaja ai vetëm la të kuptohet se është në dijeni të rasteve për rregulla të pabarabarta të investitorëve të huaj me ata shqiptarë.

“Ju nuk do të suprizoheni nëse unë do të them që shteti i së drejtës është ekstremisht i rëndësishëm për investimet e huaja. Është shumë e rëndësishme që investitorët të trajtohen në mënyrë korrekte, dhe të evitohen ato që unë i quaj “sjellja prej të fortëve” të konkurentëve vendas, për t’i nxjerrë investitorët e huaj jashtë loje. Dhe nuk po flas për çështje teorike këtu”, vijon ambasadori gjerman.

Ambasadori gjerman ishte i ftuar në komisionin e jashtëm për çështjen e azilantëve shqiptarë.

Top Channel