Rusia dhe Irani, marrëveshje për dërgimin e sistemeve mbrojtëse antiraketore

09/11/2015 00:00

Rusia dhe Irani kanë nënshkruar një kontratë dypalëshe, që ngarkon Moskën me detyrën për të furnizuar Teheranin me sisteme antiraketore tokë-ajër “S-300”. Lajmi është bërë i ditur nga shefi ekzekutiv i konglomeratit shtetëror të mbrojtjes “Rostec”, i cituar nga agjencia e lajmeve “RIA Novosty”.

“Po, kontrata për dërgimin e sistemeve mbrojtëse antiraketore është nënshkruar”, është cituar të ketë thnëë Sergei Chemezov, këtë të hënë, gjatë një shfaqjeje në Dubai.

Ndërkohë që marrëveshja bërthamore e nënshkruar së fundi mes Iranit dhe fuqive botërore, përpara akordit Rusi-Iran, i ka vendosur monarkitë sunite të Gjirit Arabik në situatë tensioni. Kjo, për shkak se ata i frikësohen faktit, që një afrim i Teheranit me Perëndimin mund ta lejojë Republikën Islamike të ndjekë një axhendë ekspansioniste në rajon.

Chemezov bëri të ditur se vendet e Gjirit nuk kanë aspak arsye për t’u ndierë të kërcënuara nga kjo marrëveshje. “Këto pajisje janë me natyrë mbrojtëse. Madje, ne jemi të gatshme t’ia ofrojmë këtë pajisje kujtdo shteti të interesuar”, tha më pas Chemezov për “Reuters”, duke folur përmes përkthyesve. “Ndaj dhe, nëse vendet e Gjirit nuk do ta sulmojnë Iranin, atëherë përse duhet të ndihen të kërcënuara? Kjo është thjesht një pajisje mbrojtëse”.

Ai tha se Arabia Saudite, rivali më i egër i Iranit në rajon, kishte tentuar shpesh dhe me vendosmëri për të bllokuar dërgimin e këtyre pajisjeve mbrojtëse në Iran. “5 vite më parë, madje edhe tani ose më saktë deri më tani, ata kanë tentuar ta bllokojnë diçka të tillë. Por, e kemi thënë se sistemet ‘S-300’ nuk janë të afta për të sulmuar në atë gradë sa të prekë vendet fqinje të Iranit”.

Top Channel