PD vijon akuzat; Çela: Tenderi, jo vetëm për stresin

09/11/2015 00:00

Një tender i Operatorit të Shpërndarjes i fituar nga djali i nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, po nxit replikat në distancë mes opozitës dhe kompanisë shtetërore, e cila një ditë më parë mohoi të kishte lidhur një kontratë për trajnimin e punonjësve.

Demokratët nxorën një dokument, ku Operatori i Shpërndarjes i kërkon firmës fituese të paraqitet për të bërë sigurimin e kontratës, që është hapi i parë ligjor për lidhjen e saj.

Por, i gjendur në Fier për kryerjen e një investimi, drejtori i Operatorit të Shpërndarjes, Ardian Çela u fokusua tek objekti i trajnimit.

“700 milionë lekë, Edi Rama ka vendosur t’ia japë djalit të deputetes Leskaj për trajtimin e stresit të punonjësve të OSHEE-së, për një periudhë vetëm 4-mujore”, është shprehur deputetja demokrate Albana Vokshi.

“Parashikohet të trajnohen 5800 punonjës, janë 15 mijë module dhe nuk është ashtu siç e bastardojnë thjesht menaxhim i stresit, por disa të tilla. Janë menaxhimi i projekteve, menaxhimi i situatave, menaxhimi i marrëdhënieve me klientin. Ne mund t’iu japim të gjithë informacionin. Së shpejti, kompania do ta bëjë përsëri të ditur. Dy herë ka dështuar ky tender për shkak se kompanitë që kanë marrë pjesë nuk plotësonin kriteret dhe afatet që kërkonte kompania. Të gjitha kompanitë simotra në botë bëjnë trajnime të tilla për stafin”, u kundërpërgjigj Ardian Çela, kreu i OSHEE-së.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Partia Demokratike bënë llogaritë e tyre të pavarura, sesi kompania kishte kursyer për trajnimin, apo siç thotë opozita, sesi kompania po pasuron klientët e kryeministrit.

“Në vitin 2012, OSHEE vetëm për menaxhimin e 700 punonjësve konsumoi 100 mln lekë të reja, kurse kompania sot po harxhon 70 milionë lekë të reja për menaxhimin e 5800 punonjësve. Mund t’i shikoni vetë shifrat se ku ka abuzim dhe ku nuk ka”, tha Ardian Çela.

“Janë 6 milionë lekë në ditë për djalin e deputetes, ndërkohë që 1/3-ta e qytetarëve të Shqipërisë jetojnë në mjerim të plotë. Ky është shteti i korruptuar i Edi Ramës, që mashtron, vjedh dhe që ndan paratë e gjakut të shqiptarëve me miqtë dhe klientët e tij”, deklaroi Vokshi.

Top Channel