Kosovë, Ban Ki-moon dënon dhunën e opozitës në Kuvend; përshëndet dialogun

09/11/2015 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në raportin e tij më të ri për zhvillimet në Kosovë ka dënuar përdorimin e dhunës nga partitë opozitare, ndërsa ka përshëndetur dialogun në Bruksel dhe marrëveshjen mbi krijimin e Asociacionit të komunave serbe, bën të ditur RTK.

“E dënoj përdorimin e dhunës dhe frikësimin nga partitë opozitare, që pengojnë punimet normale të Kuvendit të Kosovës, si dhe sulmet e papranueshme fizike nga ana e aktivistëve të opozitës, drejtuar kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë”, theksohet në raport.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë të përmbahen nga retorika dhe veprimet, që janë të papajtueshme me parimet dhe normat e një shoqërie të civilizuar dhe demokratike.

“Akte të tilla dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione, si dhe imazhin e Kosovës në botë. U bëj thirrje sidomos aktorëve politikë të opozitës, që të përmbushin detyrat e tyre me përgjegjësi dhe pjekuri, duke respektuar plotësisht procesin demokratik dhe institucionet, për të cilat janë zgjedhur”, thekson Ban Ki-moon.

Sekretari i Përgjithshëm i është rikthyer edhe njëherë dialogut në Bruksel, duke e përshëndetur – siç thotë, – “përparimin e vazhdueshëm dhe marrëveshjet e arritura mes Beogradit dhe Prishtinës, e në veçanti parimet e përgjithshme dhe elementët kryesorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ai thotë se, themelimi i këtij Asociacioni është “një hap thelbësor drejt zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje historike dhe përmirësimit të mëtejshëm të jetës së përditshme të popullatës së Kosovës”.

Sekretari Ban Ki-moon përgëzon kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në zhvillimin e këtij procesi dhe inkurajon “të gjithë udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd, që të mbështesin finalizimin e statutit të Asociacionit të komunave sipas kornizës së dakordësuar kohore, si dhe të sigurojnë zbatimin e shpejtë të të gjitha marrëveshjeve të përfshira në pakon e 25 gushtit”.

Sekretari i Përgjithshëm ka përshëndetur gjithashtu “miratimin e shumëpritur të amendamentit kushtetues dhe ligjeve të tjera për krijimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës”, duke e quajtur këtë “një progres vendimtar për të demonstruar përkushtimin e Kosovës ndaj parimeve themelore të drejtësisë dhe llogaridhënies”.

Nën presidencën e Britanisë së Madhe për këtë muaj, anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të debatojnë dhe vlerësojnë zhvillimet tremujore të prezantuara në këtë raport, të enjten më 19 nëntor.

Top Channel