Mustafa, vizitë në Lituani; fuqizim të bashkëpunimit dhe mbështetjes

09/11/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës zyrtare në Lituani është pritur në takim nga kryeministri i këtij vendi, Algirdas Butkevicius.

Gjatë takimit ndërmjet dy kryeministrave u bisedua për fuqizimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, si dhe përkrahjen e Lituanisë për proceset integruese europiane të Kosovës.

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për gazetarët, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova ka pasur një përkrahje të vazhdueshme nga Lituania, përfshirë këtu edhe angazhimin në kuadër të BE-së, po ashtu me prezencën në KFOR dhe në EULEX, misione të cilat kanë punuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

Kryeministri Algirdas Butkevicius tha se, kjo është vizita e parë e një kryeministri të Kosovës në Lituani, ndaj e vlerësoi këtë takim si të rëndësishëm dhe historik, që do të ndihmojë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Ne duhet të synojmë të kemi një bashkëpunim më të mirë tregtar dhe ekonomik. Ftojmë bizneset nga të dy vendet, që të shfrytëzojnë mundësitë që vijnë nga pozita gjeografike e dy shteteve”, tha kryeministri Butkevicius.

Kryeministri Algirdas Butkevicius theksoi gjithashtu mbështetjen për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në mënyrë që të arrihet një fqinjësi e qëndrueshme në rajon, dhe rëndësinë e promovimit të tolerancës etnike dhe fetare.

Top Channel