AKM: Ndotje e lartë në bregdetin e Durrësit

09/11/2015 14:00

Agjensia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka publikuar rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të ujit të marra në zonën e plazhit të Durrësit, i ndotur nga nxjerrja në breg e hidrokarbureve dhe vajrave të djegura të derdhura nga një anije. Sipas analizave, këto mostra “rezultuan shumë të ndotura”.

“Produktet e naftës, të cilat rezultojnë prezent në mostra, janë tej normave të lejuara, duke konsideruar faktin se në ujërat banjatore nuk duhet të ketë prezencë të produkteve të naftës. Nevoja kimike për oksigjen dhe nevoja biokimike për oksigjen rezultojnë në vlera shumë të larta të cilat reflektojnë një ndotje shumë të lartë”, lexohet në komunikatën e AKM-së.

Drejtori  i përgjithshëm i AKM-së, Julian Beqiri, shprehet: “Gjykojmë se ndotja me hidrokarbure është shumë e lartë, çka për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin është diçka alarmante. Për këtë arsye ndalohet kategorikisht kontakti me ujin apo larja në det e qytetarëve, deri në momentin e rehabilitimit të plotë mjedisor të zonës së prekur në plazhin e Durrësit, në një gjatësi prej rreth 2.5 km”.

Top Channel