Vota në UNESCO, ambasadori Delawie: Zhgënjyese

09/11/2015 17:30

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar përmes rrjetit social Twitter, mbi dështimin në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, për ta pranuar Kosovë si vend anëtare.

“Vota e sotme në UNESCO ishte zhgënjyese, por 92 votat e fituara tregojnë se Kosova ka një vend të rëndësishëm në komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë ambasadori amerikan.

Dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO ka nxitur reagime të shumta edhe nga politikanët, institucionet dhe subjektet politike opozitare në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës e ka cilësuar si një mundësi të humbur për përparimin e vizionit, vlerave dhe qëllimeve që synon kjo agjenci e OKB-së dhe promovimin e këtyre vlerave në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, Jahjaga thotë se “Kosova nuk do të dekurajohet nga ky veprim, pasi sipas saj, shumica e shteteve të botës janë të bindura në kauzën e Kosovës për konsolidimin e shtetësisë në arenën ndërkombëtare”.

Nga kryeqyteti i Lituanisë, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, ka reaguar edhe kryeministri Isa Mustafa, i cili ka shprehur keqardhjen për mungesën e konsensusit ndërkombëtar për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në UNESCO.

Mustafa ka theksuar se Kosova nuk do të sprapset nga axhenda e saj euro-atlantike dhe do të bindë të gjithë se e meriton të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare.

Fushatën e Serbisë, e cila ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, kryeministri kosovar e ka cilësuar si fushatë raciste, ndërsa ka falenderuar të gjitha vendet mbështetëse në këtë proces, me theks të veçantë Shqipërinë si sponsorisues të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Me një status në Facebook nga Parisi, në reagimin e tij ministri i Jashtëm Thaçi, tha se “rruga e Kosovës është e pandalshme dhe se do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n”.

Mospranimin e Kosovës në UNESCO, Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar si lajm të keq dhe indinjues, ndërsa ka vlerësuar se ofensiva diplomatike e Serbisë kundër pranimit në UNESCO, e dëshmon qartë se Kosova e ka armik Serbinë.

Sipas Vetëvendosjes, me këtë fushatë të egër të Serbisë, është dëshmuar që Kosova nuk duhet të vazhdojë të dialogojë pa ndryshuar thelbësisht njëherë ajo.

Edhe AAK ka shprehur keqardhje për mospranimin e Kosovës në UNESCO. Sipas partisë së Ramush Haradinajt, koncesionet që i ka bërë Kosova në raport me vendet fqinje duke përfshirë këtu edhe dy marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe Malin e Zi, nuk ishin të mjaftueshme që Serbia të mos e zhvillojë një fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Edhe Nisma për Kosovën ka vlerësuar se Serbia ishte shkaktare e mospranimit të Kosovës në UNESCO. Nëpërmjet një komunikate për media, Nisma vlerëson se luftën agresive diplomatike, Serbia e mbështeti në një strategji  fashiste, dhe raciste, madje duke e krahasuar Kosovën edhe me ISIS.

Sipas Nismës për Kosovës, kjo përbën edhe një argument më shumë se qeveria e Kosovës duhet të tërheqë marrëveshjet e dëmshme të arritura me Serbinë.

Top Channel