Sektori bankar, FSB: Të mëdhenjve u duhen 1.100 mld euro

09/11/2015 18:35

Bankave të mëdha që kanë influencën kryesore në mbarë globin u duhen deri në 1.100 miliardë euro për të qenë imune nga problemet financiare.

Është ky vlerësimi i institutit Financial Stability Board për të ashtuquajturit “jastëqe”, që janë kapitalet shtesë për institutet financiare të konsideruara si tepër të rëndësishme për të falimentuar.

Nuk bëhet fjalë për kapitale përforcuese, por për letra me vlerë që duhet të konvertohen në aksione, për të qenë në gjendje për t’i bërë ballë problemeve eventuale financiare pa rënduar mbi taksapaguesit.

Një nga gjigandët që së fundmi ka shfaqur simptomat e vështirësive është “Deutsche Bank”, që ka njoftuar se do të shkurtojë 15 mijë vende pune për shkak të humbjeve prej 6 miliardë eurosh gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.

Banka më e madhe e Gjermanisë e ka detajuar edhe më tej vendimin e saj, duke bërë të ditur se do të shkurtojë 9.000 vende pune me kohë të plotë dhe 6.000 role kontraktorësh.

Ndërkohë, ajo ka planifikuar gjithashtu të shesë edhe biznese, në të cilat mund të punësohen 20 mijë njerëz, përgjatë dy viteve të ardhshme.

Njëri prej shefave ekzekutivë të “Deutsche Bank”, John Cryan tha: “presim që nga viti 2018 të mund të shohim përfitimet e punës sonë të lodhshme dhe me shumë mundësi do të jemi në mesin e një kthese të fuqishme në aspektin financiar”.

Top Channel