Dështimi në UNESCO, ekspertët: Të gjenden përgjegjësit

09/11/2015 19:00

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë vlerësojnë se diplomacia kosovare nuk duhet të ndalet në përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa kërkojnë sqarime zyrtare nga ata që ishin të ngarkuar me procesin që dështoi këtë të hënë në Paris.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se deri në asamblenë e radhës të UNESCO-s, Kosova duhet të punojë për anëtarësim në organizata të tjera.

“Ky ishte një vendim i dhimbshëm dhe i dëmshëm, ndonëse jo i papritur, sepse dihet që me 111 njohje është e vështirë të arrihen dy të tretat e votave nga vendet anëtare për të marrë mbështetjen. Por, në asnjë mënyrë, ky vendim nuk është fundi i luftës. Kjo është vetëm humbja e një beteje, e cila duhet të zgjerohet me një gamë më të madhe veprimesh dhe jo vetëm për në UNESCO, por edhe në organizatat e tjera të OKB-së, ku për t’u anëtarësuar nuk kërkohet të jesh anëtar i Kombeve të Bashkuara”, deklaron Hoti.

Ndërsa Besa Luzha, njohëse e proceseve të tilla për Kosovën, vlerëson se pikërisht dështimi për shumë pak vota kërkon një analizë më të fortë për arsyet pse disa vende që e kanë njohur Kosovën votuan kundër saj.

“Nuk është rastësi, siç po mundohen ta quajnë disa, fakti që anëtarësimi dështoi për dy apo tre vota. Personalisht vlerësoj se pikërisht pse janë vetëm 2-3 vota, dështimi është shumë i madh. Prandaj, nuk po them se duhet një dorëheqje, por të paktën konstatimi i përgjegjësive në Kuvend. Ndoshta thjesht adresimi i përgjegjësisë tek personat që e kanë pasur”, deklaron Luzha.

Ajo fajëson edhe Bashkimin Evropian, që kërkon vazhdimisht nga Kosova normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila pavarësisht marrëveshjeve të Brukselit e pengon Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Unë nuk e kuptoj sesi mund të kërkojë Evropa nga Kosova që të negociojë dhe dialogojë me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, në një kohë kur ai fqinj vazhdimisht e pengon Kosovën dhe nuk dëshiron avancimin e saj”, thotë Luzha.

Luzha ka kërkuar nga diplomacia kosovare që në përpjekjet e radhës për anëtarësim në organizata të tjera të përfshijë më shumë përfaqësues të universitetit dhe shoqërisë civile.

Top Channel