Të humbur në askund

09/11/2015 00:00

Aksi Poliçan – Çorovodë zbathet shpejt nga asfalti sapo kthehet në vendin që njihet si Uji i Zi. Nga atym mjeti i lartë është një domosdoshmëri.

Nuk  po shkojmë drejt ndonjë zone të panjohur, përkundrazi ky vend ka ç’të tregojë. Ka histori , ka identitet e ka lënë gjurmë të shumta që prej kohëve më të hershme.
 
Vokopola ka patur një firmëtar në kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 , ka monumente kulture si ura, kala, por edhe shumë të tjera. Në fakt Vokopola ka gjithçka përveç investimeve dhe mbështetjes që mesa duket këtu nuk janë parë.
 
Që prej urës, që mendohet se është ngritur gjatë kohës së Ali Pashë Tepelenës, diku rreth viteve 1800, e deri në fshatin Vokopolë ka ende kilometra për të bërë. Nuk janë më shumë se 3 km e megjithatë duken shumë më shumë. Interesant është fakti se kalldrëmi që bën të mundur kalimin tonë është ngritur që diku në vitet 1940 nga ushtria italiane që marshonte prej këtej për në frontin ndaj grekëve. Është bërë në më pak se 1 javë, por ka rezistuar plot 75 vjet, ndryshe nga Shqipëria ku rrugët e shtruara me çakull firojnë në më pak se 365 ditë.
 
Vokopola, rreth 171 km në jug të Tiranës, është përballë me shtëpitë e vjetra që i duken si plagë të hapura të një kohe që e ka lënë plotësisht mënjanë. Fshati më 1923 ka patur 96 familje, në vitet ‘80 numri arriti në plot 270 , ndërsa sot ato janë një grusht, 26 familje ,pa asnjë mbështetje të vërtetë  e që çapiten duke punuar për të bere  gjithçka vetë në kushtet e një infrastrukture të rrënuar.
 
“Unë duhet të ngrihem që në katër të vete te stacioni se s’e kap dot autobusin, s’e kap dot autbusin”, thotë Sheme Balliu, banor i fshatit.
 
Nga 380 hektarë tokë bujqësore dikur, plot 220 vaditeshin. Kishte grurë, misër, lule dielli, rrush, mollë e arra. Plot 4 mijë krerë të imta kishte Vokopola, produktet e të cilave shkonin në dy baxhot e fshatit. Po sot çfarë ka mbetur ?
 
Me largimin e banorëve, gjithçka u përgjum, ose më mirë zërat e hapat e munguar u zëvendësuan nga një heshtje mbytëse, ata që mbeten u kërrusen nga vështirësite ekonomike ashtu  të harruar nga çdo  strukturë shtetërore.
 
“Këtu ka pasur një qendër shumë të bukur, të shkëlqyer. Ka qenë dyqani i bërë më 1968, këtu ka qenë qendra e kooperativës që ishin të ngritura të gjitha institucionet , shtëpia e kulturës, kryesia e kooperativës, lloogaria, spitali.  Me një fjalë poliklinika, shumë grupe artistike, shumë mbrëmje rinore dhe s’e imagjinoj dot tani një vend i mbushur nga ferra dhe i shkatërruar”, rrëfen Kastriot Ali Hoxha.
 
Shtëpia e Ferid Vokopolës ruan pak rrënoja. Ai është një ndër firmëtarët e Pavarësisë më 1912. Më 1920 ka qenë pjesë e grupit organizator të Kongresit të Lushnjes. Ka qenë deputet i Vlorës e Beratit, ashtu siç ishte gjatë viteve 1927 – 1928 edhe ministër i Bujqësisë. Ai njihet edhe si Teolog, duke qenë një nga themeluesit e komunitetit mysliman shqiptar e po ashtu ekonomist e poet. Një figurë që i jep dritë nga e shkuara Vokopolës, sepse e sotmja errësohet në dyert godinës ku ka jetuar.
 
Dikur fshati ka patur 2 shkolla me rreth 240 nxënës, sot vetëm një prej godinave është në këmbë, godinë sepse shkollë nuk mund të quhet një ndërtesë e degraduar në gradën e fundit. 20 nxënës mësojnë në një vend e si mundet t’u kërkosh të ndjekin historinë e traditën e lënë pas nga të parët e këtij fshati ?
 
“Shkolla është bërnut. Nuk di si mund t’i themi, vetëm shkolle nuk mund t’i themi”, thotë Behar Doka.

“Vallaj, bagëtia është më mirë se njerëzit që rrijnë këtu… kalamajtë”, thotë Xhemal Isallari.
 
Ndoshta mund të duket e pabesueshme, por shumica e të rinjeve që kanë ditëlindjen para viteve ‘90 kanë lindur në maternitetin e fshatit. Sot në paç një të sëmurë, është shumë e vështirë. Transporti duhet kryer me barrella në këmbë, siç ka ndodhur shpesh, ose dikush duhet të gjejë plot 30 mijë lekë për një person deri në Poliçan.
 
“Ka familje këtu në fshatin tonë që të vesh brenda ka rrezik të zë shtëpia”, thotë kryeplaku i fshatit.
 
Një tjetër godinë historike. Sipas banoreve ka qenë më parë, ndoshta diku në shekullin e 17 një Kishë, derisa të kthehej shekullin e 18 në xhami. Ata i respektojnë të dy pjesët e historisë, edhe pse këtë monument kulture askush nuk ka ardhur  ta shikojë, ta studiojë siç duhet apo ta restaurojë siç i takon një monumenti kulture të tillë.

“Siç e sheh ka hipur ferra dhe do të bjerë. Edhe populli ngelet shumë i pakënaqur. Është një katastrofë shumë e madhe”, thotë Ali Hoxhaj.

Në pjesën më të sipërme të fshatit ndodhet kalaja. Në fakt duket ironike që një fshat që sot ofron një fytyrë të ligësht e të pamundur, dikur ka patur një urë të madhe, një firmëtar pavarësie, një kishë të kthyer në xhami e po ashtu një fortëse të ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. E shkuara dhe e tashmja përballen këtu. Dikur një Vokopolë hijerëndë e sot një fshat i kërrusur nga pamundësia.

“Për Vokopolën monumentet e kulturës tregojnë vlera historike, qytetërim të hershëm dhe sot fshati është katandisur me 26 shtëpi nga  mungesa e rrugës e infrastrukturës”, thotë Alfred Xhoxhaj.

Vokopola mbetet pas me premtimet boshe që kumbojnë sa herë që ka fushata diku tutje edhe teqeja e Baba Tahir Vokopolës, një nga objektet më të vizituara nga besimtarët.

Sa shumë e sa pak ka ky vend…

Top Channel