Serbia është e lumtur për mos pranimin e Kosovës në UNESCO si një betejë e vështirë e fituar. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia nuk është përulur dhe është e rëndësishme që nuk ka humbur.

Ai theksoi se megjithatë me Kosovën duhet vazhduar dialogu.

“Një thënie e vjetër thotë se ‘mendjemadhësia është armiku më i madh i fitores’. Por, dua të them që ne nuk duam të shesim mend dhe se nuk do gjuajmë me gur kur ata na gjuajnë. Ne duam dialog dhe paqe në rajon”, deklaroi kryeministri Vuçiç.
 
Shefi i diplomacisë serbe me batuatat e stripave të Alan Ford tha se ai që do të fitojë nuk duhet të humbë. Duke porositur Kosovën të mos ëndërrojë, Daçiç tha se ky ishte një test edhe për mundësinë e një ulëseje të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
 
 “Dua të falendëroj ata që treguan se nuk janë tamam miqtë tanë. I uroj të gjithë që luftuan në luftën tonë pasi ajo ishte çdo ditë dhe natë”, tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiç.
 
Zyrtarët serbë thanë se është bërë një luftë e ashpër për ta pamundësuar anëtarësimin e Kosovës.

Presidenti Tomislav Nikoliç tha se është “një fitore në kushte të pamundura dhe falëndëroj qytetarët që besuan se do ta mbronim Kosovën”.

Top Channel