Në folkun tonë ekziston një shprehje; “të bëhem nuse për së dyti, di unë si nusëroj”. Po në rastin e Mersit çfarë të themi? Ajo i ka dhënë vetes aq shumë herë privilegjin e të veshurit nuse sa deri në finale janë bërë shumë prova e sprova.

Mersi Gëzhilli është një vajzë e thjeshtë nga Durrësi. Është inxhiniere me profesion dhe puna e saj nuk ka të bëjë aspak me ekzebicionizmin. Megjithatë, fantazia e vajzës së re ka bërë që traditën e ditës së dasmës, atë të nusërisë flasim, ta shndërrojë në vitin e dasmës.

Qysh sa Mersi dhe Eltoni ranë dakort për datën e ngjarjes se madhe, e cila do të ishte 6 shtatori 2015, vajza u kujdes që çdo detaj të ishte i mirëmenduar dhe që dasma të ishte nga ato organizime të cilat të mbesin në kujtesë. Por askujt nuk fantazoi se përtej të gjithave, Mersi kishte në mendje një ide të çmendur… të nusëronte jo për një ditë, as për një javë, por për plot një vit të tërë, sepse ideja e 26-vjeçares nga Durresi ishte që për dasmën e saj  të mos i vendoste vetes kufizime.

Duke nisur nga numri i fustaneve, vendi që zgjodhi për realizimin e seteve fotografike, shoqërueset e saj, deri dhe detaje vogelinash … me të gjitha zgjedhjet Mersi tregoi që nuk do të kursente asgjë për lumturinë… as imagjinatën dhe as paratë.

Dasma është një histori më vete, siç është i tillë edhe nusërimi i saj. Nga pranvera e këtij viti e deri ditën e dasmës ajo u bë 3 herë nuse në kohë të ndryshme; një herë në stinën e luleve, një herë tjetër në verë dhe së fundmi në vjeshtë, duke  realizuar kështu një kalendar të vitit të saj të nusërimit për çdo stinë, megjithëse seti i dimri nuk është bërë ende.

Mersi po pret që qielli të lëshojë të parin petk të bardhë për sivjet, në mënyrë që ajo të hedhë sërish mbi krye, por kësaj here për të fundit, velin e saj të nusërisë.

Top Channel