Cameron: Reformimi i BE-së nuk është i pamundur

10/11/2015 08:50

Reformimi i anëtarësisë së Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian nuk është një mision i pamundur.

Kështu pritet të thotë kryeministri britanik David Cameron në një fjalim që do të mbajë më vonë gjatë ditës, kur dhe do të paraqesë kërkesat e Londrës për Unionin.

Sipas BBC, që publikon pjesë të fjalimit të tij, Cameron do të fokusohet në 4 pika që përbëjnë thelbin e rinegocimit:

1. mbrojtja e tregut britanik dhe vendeve të tjera jashtë zonës së euros;

2. nxitja e konkurrencës;

3. çlirimi i Britanisë nga detyrimi “për një union më të bashkuar” dhe mbështetja e parlamenteve kombëtare;

4. kufizimin e përfitimeve në tregun e punës për emigrantët.

Kryeministri pritet t’ia paraqesë kërkesat në fjalë presidentit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, në një letër përmes të cilës do të hapë rrugën për bisedime të detajuara mes liderëve evropianë.

Cameron është i angazhuar për të negociuar një “marrëveshje më të mirë” me BE-në, në prag të referendumit për qëndrimin në të, i parashikuar nga fundi i vitit 2017, por që mund të mbahet edhe në 2016-n.

Lobuesit e shkëputjes së Britanisë nga Unioni thonë se rinegocimet e propozuara nga Cameron janë thjesht marifete.

Ndërkohë, ministri për Evropën David Lidington ka deklaruar se qeveria shpreson që të arrijë një marrëveshje të negociuar në fillim të dhjetorit, kur pritet të mbahet dhe samiti i radhës i liderëve evropianë. Por ai paralajmëroi se, është ende herët për të folur për afate kohore.

Më herët, Cameron ka deklaruar se ai dëshiron që Mbretëria e Bashkuar të qëndrojë në një Bashkim Evropian të reformuar, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nëse nuk siguron ndryshimet e kërkuara.

Top Channel