Australi, gaz lotësjellës për të shuar protestën e emigrantëve

10/11/2015 09:35

Ministri australian i Emigracionit ka deklaruar se policia përdori gaz lotësjellës për t’i dhënë fund protestave të emigrantëve në qendrën e ngritur në ishullin e Krishtlindjeve.

Peter Dutton deklaroi se 5 emigrantë mbetën të plagosur, por nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse policia kishte përdorur plumba gome.

Ndërkohë, departamenti i emigracionit deklaroi se të gjitha pjesët e kompleksit ku mbahen emigrantët janë tashmë nën kontroll të plotë, pasi policia përdori “pak forcë”.

Trazirat në kamp filluan të dielën, pasi një emigrant që kishte tentuar arratisjen u gjet i vdekur. Në shenjë proteste, të tjerë ndezën zjarre brenda kompleksit dhe u vendosën si barrikadë të armatosur me armë artizanale.

Përforcimet policore mbërritën në qendrën e burgimit në orët e para të së martës për të rivendosur rendin. Zoti Dutton tha më vonë se disa të burgosur ishin plagosur si pasojë e reagimit të tyre ndaj policisë dhe refuzimit për t’iu bindur udhëzimeve të Policisë Federale të Australisë.

Për trazirat ai fajësoi një “grup kriminal nga popullsia brenda kampit e që kontrollon kompleksin”. Gjithësesi, verifikimi i informacioneve përsa ka ndodhur në ishullin e Krishtlindjeve mbetet i vështirë, pasi mediat nuk lejohen të raportojnë prej andej.

Krishtlindjet janë një ishull i largët i Australisë, që ndodhet 2.650 km në veri-perëndim të qytetit të Perthit dhe 380 km në jug të ishullit të Xhavës në Indonezi.

Ai është pjesë e zinxhirit të ishujve të Australisë që përdoren si qendra për mbajtjen e emigrantëve ilegale që mbërrijnë me varkë, por edhe për të huaj që kanë kryer krime në Australi dhe do të dëbohen.

Top Channel