Cani: Eurobondi do lehtësojë borxhin publik

10/11/2015 10:10

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani shpjegoi në një dalje të posaçme para mediave se si do të përdoren 450 milionë eurot që qeveria mori borxh në tregjet ndërkombëtare.

“Marrja e eurobondit bëhet për të zëvendësuar eurobondin e vitit 2010 që ishte 300 milionë euro dhe me normë interesi 7.5%. 150 milionë euro do të jenë të mjaftueshme që ne të tërhiqemi nga tregu i brendshëm”, shpjegoi ministri i Financave.

Cani e konsideroi marrjen e borxhit 5-vjeçar me normë interesi prej 5.75% si një sukses për vendin, i cili, sipas tij, u bë i mundur falë reformave të qeverisë: “Shqipëria vlerësohej maksimalisht nga investitorët potencialë pikërisht nga reformat strukturore”.  

Në gjysmën e parë të vitit, një sërë ekonomish në zhvillim arritën të sigurojnë borxhe me kushte të pashënuara ndonjëherë më parë. Në prill, Meksika mori borxh me afat maturimi 100-vjeçar dhe interes 5.75%, ndërsa po në të njëjtin muaj Polonia u bë vendi i parë në zhvillim që mori borxh me interesa negative. Por, pas qershorit, situata në tregje u trazua për shkak të krizës greke dhe më pas ngadalësimit të Kinës. 
 
“A do ishte më mirë ta merrnim më përpara? Kjo tashmë është një pyetje potenciale. Kishte edhe arsye teknike se pse nuk mund ta merrnim përpara një kohe të caktuar. Kur u poqën kushtet për t’u marrë, u prish tregu”, shpjegoi Cani.

Sipas qeverisë, sigurimi i fondeve nga jashtë lë hapësirë që bankat të kreditojnë biznesin vendas dhe i mban interesat e kredive të ulëta.

Top Channel