Skënderbeu ngjit 52 vende në renditjen e UEFA-s

10/11/2015 11:00

Si asnjëherë më parë në historinë e futbollti shqiptar, Skënderbeu ka arritur këtë sezon me një hap galopant që të kualifikohet në fazën e grupeve të Europa League. Arritjet e kampionëve të Shqipërisë me rezultate pozitive në Champions dhe në turneun më të vogël kontinental, nuk mund të mos reflektoheshin edhe në statistika.

UEFA ka publikuar renditjen javore të klubeve europiane dhe ajo që bie në sy është skuadra e Skëndërbeut. “Ujqërit e Dëborës”, nga pozicioni i 242-të që ishin më parë, tashmë e shohin veten në vendin e 190, plot 52 pozicione më lart, duke u cilësuar nga UEFA si surpriza e javës dhe ngritja më e madhe në klasifikim për këtë javë.

Asnjëherë më parë një klub shqiptar nuk ka qenë në një pozicion të tillë. Skëndërbeu vazhdon të shkruajë historinë duke korrur suksese të jashtëzakonshme, si asnjë klub tjetër shqiptar. Suksesi në sfidën e fundit ndaj Sportingut të Lisbonës bën që për korçarët ëndrra europiane të vazhdojë.

Top Channel