Në takimin e së hënës, grupet e punës të partive politike në Maqedoni kanë arritur një marrëveshje për reformat që duhet të kryhen në sektorin mediatik dhe kanë rënë dakord që ky diskutimet për këtë proces të mbyllen brenda datës 20 të këtij muaji.

Sipas njoftimeve, palët kanë rënë parimisht dakord për reofrmimin e Agjencisë për Shtyp, të Radio Televizionit Maqedonas, Agjencisë Informative të Maqedonisë dhe për rishikimin e ligjit për mediat.

Reforma në fjalë është pjesë e marrëveshjes së 2 qershorit, të arritur me ndihmën e Komisionit Evropian, për nxjerrjen e Maqedonisë nga kriza politike.

“Qëndrimet tona do t’ua prezantojmë grupeve të tjera dhe pas plotësimit të këtij detyrimi që rrjedh nga marrëveshja presim të kemi media që raportojnë në përputhje me ligjin, etikën dhe standardet gazetareske. Kjo duhet të arrihet sepse përbën bazën për zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka deklaruar Robert Popovski, anëtar i grupit të punës të LSDM-së.

Pritet që në ditët në vazhdim partitë politike të arrijnë një marrëveshje për ndryshime thelbësore në televizionin publik dhe agjencinë shtetërore të lajmeve, MIA, me opozitën që shpreson se në këtë mënyrë këto organe do të çlirohen nga ndikimi i qeverisë.

Top Channel