Frika pas rrëzimit të avionit rus, edhe SHBA drejt forcimit të kontrolleve

10/11/2015 12:25

Edhe pse ende nuk ka një shpjegim zyrtar të aksidentit ajror në gadishullin e Sinait, bindja se ishte një bombë në bord ajo që solli rrëzimin e avionit rus me 224 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi, sa vjen e rritet, ashtu siç shtohet dhe frika nga kërcënimet terroriste.

Pas vendimit të autoriteteve ruse për të forcuar kontrollet në aeroporte, një hap të ngjashëm po hedhin edhe zyrtarët e aviacionit amerikan. Jo më larg se javën e kaluar, gjatë një seance dëgjimore në Kongres u ngritën pyetje mbi mangësitë në verifikimet aeroportuale.

“Nuk është sekret për askënd se ka plot njerëz atje jashtë të interesuar të dëmtojnë Amerikën, çka i shtyn të dalin me metoda nga më kreativet për të anashkaluar masat ekzistuese të sigurisë”, deklaroi në njërën prej seancave në fjalë kryetari i komitetit të Dhomës se Përfaqësuesve për mbikëqyrjen qeveritare dhe reformat, republikani Jason Chaffetz.

Dhe kur vjen fjala tek rreziku i ISIS-it, ligjvënës të të dy kampeve duket se bien dakord. Kongresmeni republikan Peter King citohet nga Zëri i Amerikës të pohojë se tashmë, pothuajse nuk ka më dyshime që avionin rus e rrëzoi një grup në Egjipt i lidhur me Shtetin Islamik.

Kreu i demokratëve në Komisionin e Zbulimit të Kongresit, Adam Schiff u shpreh nga ana tjetër se ISIS e ka eklipsuar tani plotësisht Al Kaedën si kërcënimi më i madh terrorist në botë.

Grupi ekstremist, sipas tij, duket se ka zbuluar një pikë të dobët në aviacionin ndërkombëtar dhe mund të ketë arritur në përfundimin se mënyra më e mirë për të sabotuar mbrojtjen në aeroporte është t’i afrohesh atyre me ndihmën e dikujt nga brenda.

Schiff ndan bindjen se më të rrezikuar prej xhihadistëve mund të jenë avionët europianë dhe ata amerikanë në fluturime ndërkombëtare. Ditët e fundit, kontrollet e sigurisë në aeroportet kryesore amerikane janë shtuar shumë, ndërsa Rusia dhe Britania i kanë pezulluar të gjitha fluturimet e tyre për në Egjipt.

Top Channel