Ibra: Milani më kërkoi, por nuk pranova

10/11/2015 12:45

Zlatan Ibrahimovic vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së medias në lidhje me të ardhmen e tij. Sulmuesit suedez i skadon kontrata me Paris Saint Germain në qershor të vitit 2016, por ai ende nuk ka marrë një vendim se çfarë do të bëjë dhe këtë sulmuesi e thekson edhe në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.

“Gjithçka mund të ndodhë. Ndihem në formë dhe po bëj një lojë të mirë. Përsa kohë që gëzoj këtë formë, do të jap maksimumin në fushë. Nuk e di se ç’ do të bëhet pas disa muajsh. Unë jam pjesë e projektit të PSG-së që nga fillimi. Për ata që vijnë tani është më e lehtë. Me gjithë respektin që kam për klubin, kur erdha këtu shumë gjëra nuk funksiononin mirë. Së bashku ndërtuam një skuadër të madhe”, u shpreh sulmuesi suedez.

Më pas, Ibrahimovic konfirmoi se gjatë muajve të verës Milani i bëri një ofertë për rikthimin e tij te kuqezinjtë: “Milani më bëri ofertë konkrete në verë. Nëse do të kisha thënë po, atëherë kjo çështje do të ishte mbyllur. Por unë nuk e doja këtë. I jam mirënjohës Milanit. Për mua është klubi më i madh për të cilin kam luajtur dhe unë kam qenë pjesë e shumë skuadrave të rëndësishme. Por Milani nuk ka të krahasuar për punën apo mënyrën e organizimit. Për më tepër, kur isha pjesë e tij kishim vërtet një skuadër fantastike”.

Së fundmi, për Ibrahimovic u fol për një transferim të mundshëm në Major League Soccer në SHBA. Suedezi theksoi se i pëlqen ideja që të provojë këtë aventurë përtej Atlantikut, por vuri në dukje se gjithsesi ende nuk ka marrë asnjë ofertë nga ndonjë klub amerikan.

Top Channel