Shkëlqimi i Bayern Munchen dhe PSG

10/11/2015 13:00

Këtë fundjavë kampionatet evropiane ndërpriten për t’u lënë hapësirën skuadrave përfaqësuese për ndeshjet e “playoff”-it apo atyre miqësore. Kjo është periudha e duhur për të bërë një analizë për ecurinë e kampionateve  më të rëndësishme dhe skuadrave që i kryesojnë ato.

Në këtë moment rezulton se PSG dhe Bayern Munchen janë skuadrat që kanë grumbulluar më shumë pikë. Kampionët e Gjermanisë deri tani kanë 34 pikë, 1 më pak se parizienët që kanë një ndeshje me shumë. Fiorentina ka 27 pikë, po aq sa edhe Manchester City e Barcelona, por katalanasit kanë zhvilluar 11 ndeshje.

Bayern Munchen është skuadra që ka sulmin dhe mbrojtjen më të mirë. Bavarezët kanë shënuar 37 gola në 12 ndeshje, ndërkohë që kanë pësuar vetëm 4 gola. Ai që i afrohet më shumë përsa i përket sigurisë në mbrojtje është PSG, me vetëm 6 gola të pësuar. Fiorentina e Manchester City kanë pësuar 9 gola, ndërsa Barcelona ka 12 gola në pasivin e saj në 11 ndeshje.

Ndërkaq, Bayern dhe Paris PSG janë të vetmet skuadra që nuk kanë pësuar asnjë humbje në këto javë në kampionatet e tyre respektive, ndërkohë që ekipet e tjera që kryesojnë në Spanjë, Itali e Angli e kanë provuar shijen e disfatës.

Top Channel