KE zbulon progresraportin, drejtësia dhe dekriminalizimi, sfidat e Shqipërisë

10/11/2015 00:00

Pasi i mbajti peng për një muaj, Komisioni Europian publikoi këtë të martë raportet e progresit për vendet e zgjerimit, të miratuar për herë të parë me tepër vonesë dhe me një procedurë jo të zakonshme për të tilla dokumente, duke mos justifikuar dot as synimin për “vëmendjen e duhur mediatike”.

Fillimisht, Komisioneri përgjegjës, Johannes Hahn paraqiti porositë kryesore të paketës së Zgjerimit në Parlamentin Europian, duke respektuar traditën e siguruar nga paraardhësi i tij, Stefan Fule, që synonte mbështetjen e legjislativit europian për të ndikuar tek vendet anëtare të BE-së.

“Në Shqipëri,  përshëndes përparimin e qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim, dhe në ndjekjen e një sërë reformave të nevojshme për të avancuar në rrugën e integrimit në BE. Megjithatë, më shumë duhet bërë në sundimin e ligjit, në veçanti nëpërmjet kryerjes së një reforme tërësore të gjyqësorit dhe ndërtimin gradual të gjurmëve solide të provave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet të sigurohet një qasje më sistematike për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në lidhje me të drejtat e pronësisë, duhet të miratohet legjislacioni për kthimin dhe kompensimin e pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist”, deklaroi Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn.

Për herë të parë këtë vit ishin të pranishëm në sallë, por pa të drejtën e fjalës, deputetët shqiptarë dhe ministrja e Integrimit që ndodhen në Bruksel për komitetin e 9-të të stabilizim-asociimit me PE-në.

Ndryshe nga vitet e mëparëshme, eurodeputetët shprehën pakënaqësi për vonesën e paraqitjes së paketës së zgjerimit, një dokument mbi të cilin duhet të debatonin pa qenë në dijeni të përmbajtjes.  Pjesa dërrmuese e tyre shprehu interes vetëm për Turqinë, me përjashtim të raportuesve të vendeve të Ballkanit.

“Vonesa e raporteve dërgoi sinjale të gabuara, ndaj nuk është e mjaftueshme që të diskutojmë këtu vetëm për një orë e gjysmë mbi të. Për Shqipërinë, reforma në drejtësi duhet të jetë kryeprioritet në 6 muajt e ardhshëm. Ajo kërkon të bëhen ndryshime kushtetuese dhe më pas duhet zbatuar. Nga ana tjetër, së bashku me kolegun e PPE-së, Kukan, ne shkuam në Shqipëri dhe arritëm një marrëveshje për të ashtuquajturin ‘dekriminalizim’ dhe  duhet miratuar një ligj për këtë çështje brenda këtij viti”, u shpreh Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE.

Komisioneri Hahn tha para eurodeputetëve se këtë vit sqarohet më qartë pozicioni i shteteve aspiruese lidhur me përmbushjen e kushteve të kërkuara.

“Do të vazhdojmë fokusin në sundimin e ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ai, duke shtuar se prioritete janë po ashtu Liria e shprehjes dhe e grupeve vulnerabël të shoqërisë, përfshirë romët”, tha ai.

Sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik janë dy anët e së njëjtës medalje”dhe të gjitha shtetet e rajonit duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sipas komisionerit Hahn.

Për Kosovën, vlerësohen marrëveshjet e arritura me Beogradin, nënshkrimi i MSA-së, vendimi për Gjykatën e Posaçme, ndërsa kritikohet gjyqësori dhe administrata publike, ku shënohen përsëri ndërhyrje politike dhe mungesë llogaridhënie, ndërsa kërkohen dëshmi konkrete për luftën ndaj korrupsionit në nivel të lartë.

Komisioneri shprehu bindjen se Serbia do të hapë kapitujt e parë në procesin e negociatave brenda këtij viti, por vendi duhet të mbajë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Mali i Zi shënon përparimin më të madh në këtë proces, me hapjen e 8 kapitujve ndër 35 të tilla gjithsej, por suksesi vlerësohet i kufizuar për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Në Maqedoni vlerësohet marrëveshja e arritur mes aktorëve politikë, por kërkohet zbatimi i saj dhe vërehen mangësi në disa fusha. Komisioneri përmendi se shumë vende të rajonit përballen me valën e refugjatëve, një krizë  që ka ndryshuar edhe dinamikën e raporteve të BE-së me Tuqinë.

Top Channel