PD, Alibeaj: Zjarri në laborator, krimi më i rëndë shtetëror

10/11/2015 13:55

Nga selia e PD, eksponenti i kësaj partie, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se, “djegia e provave për bandat e trafikut të drogës brenda laboratorit kriminalistik është padyshim një nga krimet më të rënda shtetërore në dy dekadat e fundit”.

Sipas tij, përpjekjet e ministrit të Brendshëm fillimisht për ta fshehur si ngjarje e më pas me alibinë e neonit kanë rënë.

“Fakti është se sot mungojnë provat për 30 çështje penale, për 30 raste të trafikut të drogës. Duke qënë një institucion kyç, i një rëndësie të veçantë, shkatërrimi i provave në këtë mënyrë nuk mund të ndodhë përveçse me urdhër e me porosi nga lart. Ka udhëzim të veçantë policie për ruajtjen e këtij institucioni, ka kamera vëzhguese dhe siguri maksimale. Por anomalitë janë shtuar kohët e fundit dhe bimët narkotike mbaheshin në thasë deri në 7 muaj pa iu bërë ekspertiza, ndërkohë që Kodi i Procedurës Penale thotë se aktet duhen bërë brenda 3 muajve”, ka thënë Alibeaj.

Ai ka vlerësuar se, përpjekja për ta mbyllur si ngjarje dhe për ta cilësuar një defekt teknik është një vërtetim më shumë se pas djegies së provave për trafikantët dhe bandat e rrezikshme në vend qëndrojnë Saimir Tahiri dhe Edi Rama.

“Laboratori kriminalistik, aty ku ruhen provat, është siguria e shtetit. Është dëshmia e ekzistencës së shtetit. Kur bie dhe kjo instancë kyçe për luftën ndaj krimit dhe për vendosjen e drejtësisë, atëherë shteti nuk ekziston. Ekziston një shtet tjetër, ky i Edi Ramës, shtet kriminal. Shtet i mafias, i trafikantëve. Shiheni deri ku shkon shërbimi ndaj krimit, deri në asgjesimin e provave në laboratorin kriminalistik, që bandat e trafikantët t’i shpëtojnë ligjit”, ka thënë Alibeaj.

Ai ka shtuar se, kjo është një nga çështjet më serioze në vend, ndaj dhe prokuroria duhet të bëjë hetime energjike, të plota e të pandikuara nga segmentet e qeverisë. “E pandikuar nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama, që janë vetë të përfshirë në këtë krim të madh”, ka vijuar Alibeaj.

Top Channel