Totozani kundër ashpërsimit të dënimeve në Kodin Penal

10/11/2015 14:00

Avokati i Popullit Igli Totozani shprehet kundër ashpërsimit të masave në projektligjin për Kodin Penal. Sipas tij nuk janë shqetësim masat e buta të dënimit, por moszbatimi i ligjeve. Totozani shprehet për një politikë të re sociale, dhe jo ashpërsim të kodit penal.

“Institucioni i Avokatit të Popullit mbështet fuqimisht iniciativën e ekzekutivit për luftën ndaj informalitetit, por përfshirja e kësaj shkeljeje si vepër penale, duke pasur parasysh kategorinë e shtetasve që do prekë kjo dispozitë (bëhet fjalë për grupe vulnerabel), është një nismë që duhet diskutuar shoqëruar edhe me masa e politika të tjera, pasi ndryshe do të ishte e nxituar dhe e parakohëshme. Kjo pasi në vlerësimin tonë shteti duhet të ketë si kryefjalë të tijën jo vetëm ashpërsimin e politikës penale, por edhe identifikimin dhe zbatimin e politikave sociale, pasi në të kundërtën rrezikohet të krijohen situata ekonomike shumë të vështira për kategori të caktuara shtetasish, si dhe njëkohësisht krijimi i problemeve sociale”, shprehet Totozani.

Avokati shprehet kundër ashpërsimit të masave dhe për tatimorët, për të cilët hiqet gjoba dhe zëvendësohet me burg, duke e konsideruar këtë veprim të nxituar.

“Institucioni i Avokatit të Popullit është i mendimit se ky ndryshim i dispozitës është i nxituar dhe i ashpër në masën e dënimit. Në dispozitën aktuale të Kodit Penal kjo dispozitë ka një ndarje lidhur me dëmin që i sjell shtetit një punonjës i organeve tatimore. Pavarësisht rrezikshmërisë që paraqet kjo vepër, duhet vleresuar edhe vlera e dëmit që i vjen shtetit nga moskryerja e detyrave që lidhen me vjeljen e taksave nga punonjësi përkatës, që në shumicën e rasteve ka qenë përcaktuese në dënimin e dhënë nga Gjykata”, shprehet Avokati i Popullit.

Këto ndryshime në Kodin Penal do të sjellin mbipopullim në burgje, vijon Totozani.

Top Channel