Raporti, Zbogar i bën thirrje opozitës: Kosova nuk ka kohë për të humbur

10/11/2015 14:30

Raporti i progresit për Kosovën i publikuar të martën nga Komisioni Europian, ka vlerësuar hapat e fundit nga Prishtina zyrtare për ratifikimin e MSA-së dhe formimin e Gjykatës Speciale, por edhe marrëveshjet me Serbinë ndërsa ka kritikuar veprimet bllokuese të opozitës në Kuvend.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar duke folur në Prishtinë, pasi në Bruksel përfundoi konferenca e komisionerit Hahn, tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe të vazhdojë prej një bllokadë 6-mujore vitin e kaluar, në një bllokadë të re në të cilën ndodhet tani.
 
“Kuvendi i Kosovës është bllokuar sërish pas bllokadës 6-mujore të vitit të kaluar. Kjo ka vonuar dhe po vonon reformat për të cilat Kosova ka nevojë dhe vendi nuk ka kohë për të humbur. Koha e humbur e largon Kosovën nga e ardhmja më e mirë për banorët e saj dhe fëmijët e tyre”, deklaroi Zbogar.
 
Zbogar u ka bërë thirrje përfaqësuesve të institucioneve që të kryejnë obligimet e tyre, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe në heqjen e ndikimit politik ndaj gjyqësorit.
 
Edhe raporti i publikuar të martën thekson se Kosova duhet të vendosë prioritet për t’u marrë me rastet e korrupsionit të niveleve të larta, veçanërisht në prokurim publik.
 
Zbogar po ashtu i ka bërë thirrje qeverisë që ta shfrytëzojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit si një mundësi të mirë për të bërë Kosovën vend tërheqës për investimet e huaja.
 
Kritikat e raportit të Komisionit Europian i ka pranuar edhe Qeveria e Kosovës, ndërsa ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku tha se do t’i adresojnë të gjitha.
 
Pas pranimit të raportit nga shefi i BE-së në Kosovë, Çollaku tha në një konferencë për media se bllokimi i Kuvendit nga opozita po mbanë peng progresin europian të shtetit, ndërsa i ka ftuar opozitën që të lejojnë Kuvendin të kryejë detyrimet që ka ndaj qytetarëve.
 
“Unë shpresoj që opozita do ta shfrytëzojë këtë rast si një moment për të reflektuar dhe për t’u orientuar drejt, për të përqafuar vlerat europiane dhe jo të të bllokojnë Kosovën. Ne e pamë edhe dje në UNESCO, jo gjithçka është e përfunduar. Kosova ka shumë miq në arenën ndërkombëtare, ka shumë partnerë të fuqishëm, mirëpo ka edhe kundërshtarë të cilët për arsye të njohura nuk e mbështesin Kosovën në rrugën për të zënë vendin e merituar në arenën ndërkombëtare dhe në këto organizata ndërkombëtare”, tha ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku.
 
I pyetur nëse Kosova duhet të ndërpresë dialogun me Serbinë, pasi Beogradi bëri fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Çollaku tha se kur ka nisur dialogu para disa viteve, kriter kryesor ka qenë që palët nuk mund të vendosin kushte gjatë dialogut.

Top Channel