Akuzat për doping, Rusia: Janë të pabaza

10/11/2015 14:40

Rusia i kundërpërgjigjet WADA-s. Agjencia Ndërkombëtare Antidoping ngriti akuza shumë të rënda ndaj sportistëve rusë për përdorim dopingu, madje kërkoi edhe përjashtimin e tyre nga Lojërat Olimpike të Rio De Zhaneiros të viti 2016. Kjo ka sjellë edhe reagimin e fortë të autoriteteve ruse, të cilat hodhën poshtë këto akuza nëpërmjet një deklarate të zëdhënësit të presidentit Vladimir Putin, Dimitri Peskov.

“Çështja është se akuzat e ngritura duhet të bazohen mbi prova reale. Përsa kohë që nuk është publikuar asnjë e tillë,  është e vështirë të perceptosh akuzat, të cilat janë të pabazuara”, u shpreh Peskov.

Nuk është hera e parë që atletika botërore përfshihet nga skandalet. Ajo që cilësohet si mbretëresha e sporteve është përballur edhe me probleme të tjera përveç dopingut, siç është racizmi apo edhe çështjet politike. Një prej skandaleve më të mëdha që shpërthyen në botën e atletikës është rasti i dopingut me stanozolol të Ben Johnson, të cilit iu hoq edhe medalja e fituar në Lojërat Olimpike të Seulit në garën e 100 metrave, me kohën rekord të asaj kohe 9.79 sekonda.

Top Channel