Arrihet marrëveshja, FMN: Qeveria përmbushi objektivat

10/11/2015 14:55

Fondi Monetar Ndërkombetar dhe qeveria shqiptare ranë dakord në nivel teknik për të kompletuar rishikimin e 5 dhe të 6 të programit trevjecar, pas përplasjeve që palët patën në verën e këtij viti.

Shefja e re e misionit të FMN për Shqipërinë, tha se qeveria i realizoi objektivat.

“Jam e lumtur të nënvizoj se programi po ecën sipas parashikimmeve. Të gjithë objektivat sasiorë janë realizuar dhe në të njëjtën kohë zbatimi i reformave strukturore ka qenë i fortë. Disa nga këto reforma, si ajo e energjisë, po japin rezultatet e para duke krijuar kursime për qeverinë, çka siguron themele për një rritje ekonomike më të fortë në afat të mesëm. Ne presim që rimëkembja e ekonomisë të vijojë. Për këtë vit rritja ekonomike vlerësohet se do të jetë rreth kuotave 2.5 deri në 2.7 përqind, ndërsa vitin tjetër ajo do të përshpejtohet në nivelin 3 deri në 3.5 përqind”, thotë Anita Tuladhar, shefja e misionit të FMN në Shqipëri.

Për qeverinë shqiptare, arritja e marrëveshjes me FMN, është jo vetëm burim optimizmi, por edhe një sinjal se ekonomia e ka lënë pas krizën.

“Ekonomia e ka marrë pjesën e vet të lëvizjes drejt pozitivitetit me sukses të plotë dhe siç edhe do të shihni në parashtesën e buxhetit të vitit 2016, ne së bashku me FMN kemi vendosur që të kemi suficit primar”, deklaroi ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

“Këto dy vite është punuar për të pastruar atë infektim të trashëguar në ekonominë shqiptare, qoftë me energjinë, borxhet e prapambetura apo katastrofën fiskale”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Edhe Banka e Shqipërisë pret që rritja ekonomike yë vijë duke u forcuar. Por guvernatori Sejko ka dashur të lëshojë një mesazh për politikën, i cili duket se bie më shumë në kampin e maxhorancës.

“Në analizat tona pasiguria rezulton si një nga arsyet që vazhdon të frenojë rritjen e konsumit dhe investimeve në vend. Zutja e saj përmes rritjes së transparencës dhe forcimit të konsensusit politik do të ndihmonte në krijimin e një ambienti me favorizues për ekonominë”, deklaroi Guvernatori, Genti Sejko.

Qeveria do vazhdojë masat për uljen e borxhit, por sipas ministrit të Financave pa rritje të re taksash.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur për herë të parë publikisht qëndrimin e tij për aksionin e qeverisë kundër informalitetit.

“Ne besojmë se është shumë e rëndësishme që të përmirësohet ambienti fiskal dhe përmbushja vullnetare e detyrimeve tatimore, ndaj i mbështesim përpjeket e qeverisë në këtë drejtim. Gjithashtu, mendojmë se është e rëndësishme që masat të cilat po merren, të shihen si të drejta dhe të balancuara dhe për këtë kemi këshilluar qeverinë që të ndjekë praktikat më të mira ndërkombëtare; si përshembull përmirësimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve për të rritur përmbushjen vullnetare. Gjithsesi, mendojmë se qëllimi i fushatës është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të arritur konsolidimin fiskal, por edhe për të krijuar hapësira që buxheti të financojë shpenzime produktive”, thotë FMN.

Vitin e ardhshëm qeveria është angazhuar që buxheti i shtetit të jetë me sufiçit primar sa 0.3 përqind e Prodhimit Kombëtar, çka do të thotë se qeveria nuk do të marrë borxh për të financuar operacionet e përditshme, por do të kursejë para nga të ardhurat për të ulur borxhin. 

Top Channel