Misteri i ndotjes në Durrës, ndotja ende në nivele alarmante

10/11/2015 15:04

Edhe pse kanë kaluar katër ditë, ndotja nga hidrokarburet dhe vajrat e përdorur në vijën bregdetare të Durrësit nga plazhi Iliria deri tek Teuta është shumë e lartë. Mostrat e para të ujit dëshmuan për një katastrofë mjedisore.

“Në rastin në fjalë është dhe një përmbajtje e lartë hidrokarbure, e kemi në nivele 1.56 gr/l që është një përmbajtje shumë e lartë. Ndërkohë që në vijën bregdetare në zonat banjatore duhet të jetë zero”, tha Julian Beqiri, kreu i AKM-së.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Julian Beqiri tha se janë marrë mostrat e dyta të ujit pas ndërhyrjeve që janë bërë nga pushteti vendor për të parë ecurinë. Ekspertët e mjedisit saktësojnë se çdo anije e cila kalon duhet që të paraqesë pranë kapitenerisë së portit edhe sasinë e mbetjeve hidrokarbure.

“Një anije që ankoron në portin e Durrësit, krahas informacionit që jep e merr me portin duhet të deklarojë dhe sasinë e vajrave të përdorur. Ka kompani të specializuara për këtë punë që e mbledhin dhe e riciklojnë”, thotë Beqiri.

Inspektoriati i Mjedisit ka kërkuar nga kapiteneria e portit të Durrësit informacion të detajuar, mbi shkaktarët e kësaj katastrofe mjedisore. Ky është organi që mban inventarin e të gjitha anijeve që qarkullojnë, dhe ku çdo subjekt duhet të deklarojë sasinë e mbetjeve që gjeneron dhe vendin ku duhet ta shkarkojë. Kreu i kapitenerisë së portit të Durrësit u shpreh se janë duke u bërë të gjitha studimet mbi shkaktarët e kesaj ndotje e cila mund të mos ketë ardhur nga anijet.

Top Channel