Raporti, Rama: Hapja e negociatave kalon përmes reformës në drejtësi

10/11/2015 15:20

“Rruga për hapjen e negociatave kalon përmes reformës në drejtësi, jo si detyrim për Bashkimin Europian, por si detyrim ndaj fëmijëve tanë”, është shprehur kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp pas marrjes së progresraportit nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

“Ky progresraport konfirmon se rruga për hapjen e negociatave kalon nëpërmjet reformës në drejtësi. Mendoj se për rëndësinë sa dhe për kompleksitetin e saj meriton të adresohet së pari si një konstatim mbi prioritetin dy, ku vlerëshoet ecuria e mirë në përgatitjen e reformës në drejtësi dhe angazhimi për të siguruar një reformë gjithëpërfshirëse dhe të thellë. Progresraporti rekomandon në mënyrë prioritare përfundimin në kohë të reformës gjithpërfshirëse në drejtësi, që do të thotë në këndvështrimin tim, nëse reforma në drejtësi do të mbyllet pa humbur kohë të çmuar dhe duke e adresuar fuqimisht në muajt në vijim, atëherë rruga jonë për negociatat është e hapur. Nga ana tjetër, në progresraport është e qartë se kjo lidhet ngushtësisht me konsolidimin e rezultateve, ku theks të veçantë kanë hetimet, gjykimet dhe ndëshkimet”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë ritheksoi nevojën që kjo reformë të jetë gjithpërfshirëse dhe si garanci për këtë gjithpërfshirje sheh angazhimin e Komisionit të Venecias, mendimet e të cilit për draftin e dorëzuar nga Komisioni Parlamentar i Posaçëm palët janë zotuar t’i zbatojnë.

“Nuk mund të jetë reformë e një pale, këtë mund ta garantojë një strukturë ekspertësh vendas dhe të huaj si dhe opinioni i Komisioni të Venecias. Ne presim Komisionin, opinioni i të cilit ka qenë pika për të gjetur konsensus mes palëve e bazuar në mendimin dhe rekomandimet e tij. Presim që komisioni të shprehet sa më parë për të na dhënë mundësi të gjykojmë mbi përmbajtjen e opinionit dhe mundësi që të shkojmë më tutje”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se raporti vlerëson një administratë profesionale, jo të stërpolitizuar apo stërkorruptuar, duke thënë se do të ketë dënime dhe penalizime për shkelësit në të gjitha nivelet, përfshi dhe zyrtarët e lartë.

“Ne konstatojmë se angazhimi ynë për të mbyllur një epokë në një administratë të diskredituar jo profesionale, të stërpolitizuar dhe të stërkorruptuar dhe për të hapur një epokë të ndërtimit të një administrate profesionale dhe të pavarur vlerësohet qartësisht në këtë raport ku theksohet ecuria e mirë dhe reforma solide e administratës publike”, tha kryeministri.

Nga ana e saj, ambasadorja e BE-së vlerësoi si tejet pozitive reformën administrativo-territoriale dhe atë në energji, ndërsa sfidë vlerësoi reformën në drejtësi dhe ligjin për dekriminalizimin.

Top Channel