Korrupsioni me kontrollin e makinave, pushohen dy punonjës në Laç

10/11/2015 15:30

Pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel, janë liruar nga detyra dy personat që kishin krijuar një skemë korruptive ndaj qytetarëve, që u duhej të paguanin deri në 5 mijë lekë për të marrë kontrollin teknik të automjetit në qytetin e Laçit.

Në lidhje me denoncimin e bërë reagoi ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili tha se menjëherë u komunikua me kompaninë e cila mori masa ndaj punonjësve.

Haxhinasto kërkoi nga qytetarët që të denoncojnë çdo rast që ka të bëjë me shkelje të tilla: “U kontaktua që mbrëmë kompania përgjegjëse dhe pushoi nga puna personat e përfshirë. I bëj thirrje qytetarëve që të denoncojnë gjithmonë raste të tilla”.

Denoncimi në “Fiks Fare” mbrëmjen e së hënës evidentoi korrupsionin në pikën e kontrollit teknik të automjeteve në Laç. Ankesa e disa qytetarëve qëndronte tek mënyra sesi zhvillohej i gjithë procesi në këtë pikë kontrolli, ku thuajse të gjithë drejtuesit detyroheshin të jepnin rryshfet për të përfunduar kontrollin e mjetit.

Në pamje shihej qartë sesi kontrolli nuk kryhej i plotë, duke lejuar të qarkullojnë edhe mjete jashtë standardeve të kërkuara.

Top Channel