Padi OSHEE-së për djalin e vdekur

10/11/2015 15:35

Operatori i Shpërndarjes së energjisë elektrike, OSHEE, është paditur në gjykatë nga familja e Arnid Leskaj , 14 vjeç i cili humbi jeten tre vjet më parë pasi ra në kontakt me energjinë elektrike teksa po shkonte në shkollë.

Sipas familjarëve të viktimës, pala e paditur është përgjegjëse për fatkeqësinë në familjen e tyre pasi vdekja e Arnidit është shkaktuar nga mos respektimi i rregullave të sigurisë teknike nga punonjësit e OSHEE, njëri prej të cilëve është dënuar me kusht nga gjykata e apelit për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. Familja Leskaj kërkon që OSHEE t’i dëmshpërblejë me 40 milionë lekë.

“Kam ardhur të kërkoj të drejtën që i takon djalit tim dhe mua si familje që CEZ, ose OSHEE sot, të më dëmshpërblejë në mënyrë maksimale për jetën e djalit, që ia preu në mes”, thotë Adnan Leskaj.

Por ndërsa gjykata nisi shqyrtimin e padisë civile duke u kërkuar paditësve që sipas ligjit të paguajnë 3 përqindëshin e shumës që kërkohet për dëmshpërblim, për çështjen penale prokuroria ka kryer rekurs në Gjykatën e Lartë pasi i akuzuari Leonat Çekrezi, ish drejtues në kompaninë e asokohe CEZ, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vjet dënim me kusht.

“Nuk e di të shohim fundin si do shkojë. Për çështjen penale nuk kam asnjë lloj shprese, pasi u bëmë tre vjet që zvarritemi, dhe një drejtësi përtokë fare, qesharake. Sot arrestohet një shofer që pi, në momentin që ndodhi ngjarja me djalin nuk u arrestua asnjë person”, thotë Leskaj.

Top Channel