Kosovë, opozita: Të ndërpritet dialogu me Serbinë

10/11/2015 15:40

Votimi i djeshëm kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, veçanërisht nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, është cilësuar si dështimi më i madh i diplomacisë kosovare nga tri forcat politike opozitare në vend.

Liderët opozitarë, Visar Ymeri i Vetëvedosjes, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën, duke fajësuar edhe fushatën, siç thanë ata agresive dhe raciste serbe kundër Kosovës, kërkuan ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

“Sjellja e Serbisë në raport me Kosovën, dje ka dëshmuar edhe një herë se sa e dëmshme është mënyra dhe qasja që qeveria e Kosovës i është drejtuar dialogut me Serbinë. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që ky lloj dialogu duhet të ndërpritet. Kosova duhet urgjentisht të fillojë ta rishikojë çështjen e dialogut, dialog i cili duhet të fillojë me kushtëzimin e njohjes së Kosovës nga Serbia”, u shpreh Limaj.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se fushata e Serbisë duhet të jetë e papranueshme, veçanërisht nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, këmbëngulja e palës kosovare për respektimin e marrëveshjeve po dëmton në vazhdimësi Republikën e Kosovës.

“Insistimi i Republikës së Kosovës që t’i mbetet besnik marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe në anën tjetër t’i mbetet besnik edhe këtij dialogu joparimor, është insistim që ta dëmtojë Republikën e Kosovës në vazhdimësi. Republika e Kosovës nuk mund të forcohet për sa kohë që qeveria e Republikës së Kosovës pranon marrëveshje dhe pranon dialog me armikun tonë Serbinë, dialog ky dhe marrëveshje këto të cilat po e cënojnë përbrenda republikën dhe rrugën drejt progresit dhe përparimit”, deklaroi Ymeri.

Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se nëse liderët institucionalë nuk reflektojnë, atëherë kemi të bëjmë me status neutral të liderëve: “Qeveria e Kosovës duhet ta ndalë këtë lloj dialogu me Serbinë, ndryshe kemi të bëjmë me kryeministër, presidente dhe ministër të jashtëm me status neutral, e ne jemi republikë e pavarur. Nëse tre liderët institucionalë nuk veprojnë në këtë rast, atëherë vërtetë nuk kemi udhëheqës të republikës, por kemi status neutral të liderëve”.

Haradinaj shtoi se vazhdon të qëndrojë kërkesa e tyre për anulimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe atë për Demarkacionin me Malin e Zi.

Top Channel