Progresraporti, ja detyrat e Shqipërisë

10/11/2015 16:20

Në përmbajtje, raporti i progresit vlerëson ecurinë e qëndrueshme të vendit me reformat e nisura në fushat kryesore. Reforma e administratës publike siguron vlerësimin më të lartë për “progres të mirë” ndër  5 prioritetet kyçe, siç njoftoi një ditë më parë Top Channel, ndërsa theksohet nevoja e zbatimit me rezultate konkrete e gjurmë të besueshme provash, veçanërisht për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Raporti nënvizon veçanërisht nevojën e përmbylljes së reformës në drejtësi dhe respektimin e të drejtës së pronës, të cilat ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të prioriteteve kyçe të mbetura dhe për zhvillimin ekonomik potencial të vendit.

“Njëfarë progresi” i takon reformës për drejtësinë, një tjetër prioritet kyç, ku vendi konsiderohet “në fazë fillestare të përgatitjes” për negociatat e anëtarësimit. Dokumenti përsërit se duhen trajtuar problemet që lidhen me pavarësinë, llogaridhënien dhe eficensën e sistemit të drejtësisë, me sigurimin e të dhënave, me plotësimin e vendeve vakante për Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative, me menaxhimin elektronik të veprimtarisë së gjykatave dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore, përfshirë publikimin e tyre në kohë.

Vlerësohet nisma për ligjin mbi dekriminalizimin, një term i papërmendur posaçërisht në raport, por zgjedhjet e fundit lokale quhen “një mundësi e humbur për përjashtimin nga listat elektorale të kandidatëve me të dhëna kriminale në të kaluarën”.

Të organizuara në kohë tê shkurtër pas reformës territoriale dhe”pa incidente të mëdha”, zgjedhjet e qershorit nuk shmangën shqetësimet e BE-së për “paanshmërinë dhe profesionalizmin” e autoriteteve zgjedhore dhe “nevojën për të trajtuar politizimin e përgjithshëm të procesit elektoral”.

Pas marrëveshjes politike të dhjetorit 2014, dialogu politik merr vlerësime disi më pozitive se në të kaluarën, por përsëritet nevoja për “përpjekje më sistematike për të tejkaluar kulturën përçarëse politike dhe për të siguruar një dialog më konstruktiv ndërpartiak.”

Funksionimi i parlamentit njeh “njëfarë progresi” me përmirësimin e transparencës së procesit legjislativ.

Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, njësoj, shënojnë “njëfarë progresi” ndërsa kapitujt respektivë shënojnë “njëfarë niveli të përgatitjes”. Vlerësohen veprimet goditëse të policisë, sidomos ndaj trafikut të drogës, por kërkohet reagim më i shpejtë i prokurorisë. Vendi mbetet vend origjine për trafikun e qënieve njerëzore, ndërsa korrupsioni “i gjithëpërhapur”. Shënohen pak raste të konfiskimit të pasurive dhe konsiderohen “të kufizuara” gjumët e provave për hetimet, ndjekjet dhe dënimet, veçanërisht “të ulta për zyrtarët e nivelit të lartë”.

Prioriteti i 5-të dhe i fundit kyç, të drejtat themelore, janë tërësisht në përputhje me standardet e BE-së në letër, por në praktikë, zbatimi i tyre mbetet “i kufizuar” dhe “i pamjaftueshëm.” Regjistrimi, kompensimi dhe kthimi i pronës, të drejtat e romëve dhe egjiptianëve, si dhe përmirësimi i drejtësisë për të miturit janë çështjet për t’u trajtuar nga Shqiperia në këtë kuadër.

Përtej prioriteteve kyçe, përgatitja më e mirë e vendit rezulton për kapitullin 31, që ka të bëjë me përshtatjen e politikës së jashtme me atë europiane. Pa progres gjatë këtij viti rezultojnë të drejtat e punëtorëve, ndërsa liria e shprehjes ndryshon “njëfarë progresi”. Ndërsa për pjesën e mbetur të 35 kapitujve negociues me Brukselin, Tirana konsiderohet kryesisht “me përgatitje të moderuar”, ose me “njëfarë niveli të përgatitjes”.

Vendi vijon “zbatimin pa pengesa” të MSA-së me BE-në. Gjithashtu, raporti i progresit për Shqipërinë përsërit se marrëveshja dypalëshe me SHBA-të bie në kundërshtim me parimet udhëzuese të Unionit.

Top Channel