Gjermani, ndahet nga jeta ish-Kancelari Schmidt

10/11/2015 00:00

Helmut Schmidt, i cili ka shërbyer edhe si Kancelar i Gjermanisë Perëndimore gjatë viteve 1974-1982, ka ndërruar jetë këtë të martë në moshën 96-vjeçare. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e tij.

Schmidt, pjesë e socialdemokratëve në Gjermani, ka qenë arkitekti i Sistemit Monetar Europian, që lidhi mes tyre monedhat e Bashkimit Europian, duke hedhur kështu hapin e parë drejt krijimit të euros.

Ai njihet dhe vlerësohet për ndihmën e dhënë në konsolidimin e “boom”-it ekonomik të Gjermanisë së pasluftës, ndërkohë që është parë edhe si figura më popullore mes udhëheqësve të atij vendi që prej Luftës së Dytë Botërore.

Schmidt ndërroi jetë pasditen e së martës në Hamburg, citohet të ketë thënë për mediat gjermane mjeku i tij personal, Heiner Greten, i cili nuk dha detaje të mëtejshme.

Helmut Schmidt ishte një strateg largpamës, i cili jetoi mjaftueshëm sa për të parë ambiciet e tij për Gjermaninë të përmbusheshin në vitin 1990. Në vitin 1972, Schmidt ishte ministër i Financave në qeverinë e Ëilly Brandt, një menaxher tepër i suksesshëm i mrekullisë ekonomike të Gjermanisë. Dy vite më pas ai u bë edhe Kancelar i vendit.

Një proeuropian i vendosur, Schmidt, së bashku me udhëheqësit francezë ishin nismëtarë të Sistemit Monetar Europian në vitin 1979, një nismë që më pas i hapi rrugën krijimit të euros. Ai do të mbahet mend gjithashtu edhe për drejtimin e vendit të tij përgjatë një periudhe të vështirë dhune politike, gjatë së cilës grupe të armatosura si “Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe” ndërmorrën disa sulme me bomba dhe pengmarrje.

Në vitin 1982, koalicioni i udhëhequr prej partisë së Schmidt u shpërbë, duke e humbur pushtetin kundrejt Helmut Kohl.

Top Channel