Pas takimit të zhvilluar pasditen e së martës me shefen e misionit të BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, e cila dorëzoi edhe progresraportin e Komisionit Europian, kreu i Kuvendit Ilir Meta ka folur me vlerësime mbi këtë progresraport, si dhe premton ecjen sa më shpejt drejt përmbylljes së dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi, kjo e fundit kërkesë kyç për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Mbetet e rëndësishme për të ardhmen dhe për çeljen e negociatave, të ecim sa më shpejt për të mbyllur procesin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi, e cila do të jetë shumë e rëndësishme jo vetëm për të forcuar sundimin e ligjit në vend, jo vetëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por edhe për të përmirësuar klimën ndaj biznesit dhe për të nxitur investimet e huaja në vendin tonë”.

Sa i përket kohës së nevojshme për të përmbyllur reformën në drejtësi, kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka thënë se nuk do të vonohen shumë pas ardhjes së opinionit të Komisionit të Venecias, për të ecur drejt vendosjes së shtyllave kryesore të kësaj reforme në Parlament.

Ndërkohë, i pyetur për dorëheqjen e ish-ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, nëse përbën një hallkë të parë për një valë ndryshimesh në qeveri, Meta është shprehur se e falenderon edhe njëherë zotin Naço që i hapi rrugë këtij ndryshimi, i cili do t’u shërbejë impulseve të reja jo vetëm sa i takon reformës në drejtësi, rritjes së transparencës dhe rolit të Ministrisë së Drejtësisë në qeverisjen e vendit, por edhe luftës kundër korrupsionit dhe në këtë plan ai e ka vlerësuar si një lëvizje mjaft pozitive.

Top Channel