PBDNJ, Dule takohet me Tahirin; shkak djegia e flamurit grek në Sarandë

10/11/2015 00:00

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka reaguar pasditen e së martës në lidhje me djegien e flamurit kombëtar grek në selinë e Bashkimit Demokratik të Minoritetit etnik grek “Omonia” në Sarandë, e këtë e ka bërë gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

Sipas komunikatës për shtyp të lëshuar nga selia e PBDNJ-së, Duke është takuar me Tahirin për t’i shprehur shqetësimet për këtë ngjarje, të cilën e cilëson si akt urrejtjeje që nuk përfaqëson kurrsesi ndienjat e miqësisë dhe respektit të popullit shqiptar, si ndaj minoritetit etnik grek ashtu edhe ndaj popullit grek.

Dule ka theksuar se është me rëndësi të veçantë zbulimi i autorëve dhe i ka kërkuar ministrit të Brendshëm vënien para përgjegjësisë ligjore të tyre, si dhe marrjen e masave parandaluese në vazhdimësi për mospërsëritjen e akteve të ngjashme.

Kreu i PBDNJ-së ka shprehur gjithashtu keqardhjen për faktin se, ky akt, nga çdo këndvështrim i shëmtuar, nuk është dënuar deri më tani nga asnjë forcë politike dhe as nga shoqëria civile në Shqipëri.

Top Channel