Turqi, Erdogan kërkon ndryshimin e Kushtetutës; sfidon më tej Europën

10/11/2015 00:00

Qeveria e re e Turqisë do të ketë prioritet hartimin e një Kushtetute të re, bëri të ditur Presidenti Recep Tayyip Erdogan këtë të martë, duke rigjallëruar pretendimet për një Presidencë me detyra ekzekutive, pavarësisht se Europa sapo ka bërë të ditur shqetësimet e saj në lidhje me përqëndrimin e pushtetit thuajse totalisht në duart e tij.

Komenteve të presidentit turk u ka bërë jehonë edhe kryeministri Ahmet Davutoglu, i cili ka shtuar se Kushtetuta e re duhet të sigurojë liritë themelore dhe të bazohet mbi decentralizimin e pushteteve. Ai deklaroi gjithashtu se partia në pushtet AK do të nisë një sërë reformash në 6 muajt e ardhshëm.

I “trimëruar” nga rikthimi i fuqishëm zgjedhor i partisë së themeluar prej tij, AK, gjatë zgjedhjeve të 1 nëntorit, Erdogan ka përshkallëzuar apelet e tij për një sistem presidencial të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara apo Rusisë, diçka për të cilën kritikët e tij janë të frikësuar se, ky ndryshim vetëm sa do të konsolidojë më shumë pushtet në duart e një udhëheqësi autoritarian, i cili bën shumë pak për të shuar mospajtimet.

“Zgjedhjet e 1 nëntorit do të çojnë në 4 vite qëndrueshmëri dhe besueshmëri. Le ta bëjmë këtë periudhë, një kohë reformash me prioritet Kushtetutën e re”, tha Erdogan gjatë një ceremonie përkujtimore të “babait” të Turqisë moderne, Mustafa Qemal Ataturk.

“Republika e Turqisë ka përjetuar periudhën e saj më të mirë gjatë 13 viteve të fundit”, tha ai, duke iu referuar ‘mbretërimit’ të partisë islamike AK, të themeluar prej vetë atij. “Tashmë, ne nuk duhet të jemi të shqetësuar në lidhje me ndryshimin e natyrës së regjimit”.

Partia AK fitoi 317 vende nga 550 gjithsej në Parlamentin turk gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 1 nëntorit, vetëm pak më pak nga 330 vendet që duheshin për të zhvilluar në referendum mbi ndryshimin e Kushtetutës.

Top Channel