SGS ndëshkon kontrollorët e automjeteve në Laç

10/11/2015 17:40

Kompania “SGS Atomotive Albania”, që menaxhon pikat e kontrollit teknik të automjeteve, njoftoi pushimin e menjëhershëm nga puna të inspektorit të denoncuar në emisionin Fiks Fare në Pikën e Kontrollit të Automjeteve në Laç.

Lidhur me rastin korruptiv të denoncuar të nga “Fiks-Fare”, kompania thotë se rezulton që inspektori që fillon procedurën e kontrollit, e ka bërë rregullisht raportimin sipas procedurës, por inspektori tjetër që e ka asistuar gjatë testimit ka marrë paratë.

“Një akt i tillë, është tërësisht i papajtueshëm me politikat tregtare të kompanisë, plotësisht i dënueshëm dhe në kundërshtim me çdo normë të sjelljes dhe realizimit të shërbimit ndaj qytetarëve. Dëshirojmë t’ju informojmë se, në përputhje me rregulloren e brendshme të kompanisë dhe dispozitat përkatëse ligjore, për inspektorin në fjalë është vendosur largimi i menjëhershëm nga puna. Për shkelje të rënda të procedurave të kontrollit të miratuara nga kompania, është pushuar para pak ditësh edhe ish-kryekontrollori i kësaj qendre kontrolli, si dhe po ndërmerren masa të tjera shtesë ndaj personelit tjetër, për të cilin janë  konstatuar shkelje me të lehta të procedurës”, thuhet në deklaratën e SGS.

Në fund, SGS falenderon Fiks Fare për denoncimin e rastit në fjalë dhe fton të gjithë qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë në numrin e vënë në dispozicion nga kompania e që gjendet në çdo pikë kontrolli teknik të automjeteve në gjithë vendin.

Top Channel