Itali, 41 të arrestuar si trafikantë “punonjësish” cirku

10/11/2015 00:00

Në Itali janë arrestuar 41 persona gjatë së martës, pasi është zbuluar një rrjet kriminal që u merrte personave të trafikuar mijëra euro për të hyrë në mënyrë të paligjshme në vend, ku do të punonin si punonjës cirku.

Policia ka bërë të ditur se grupi përdorte një klauzolë në ligjin për emigracionin, që lejonte performuesit, kërcimtarët dhe punonjësit e cirkut të merreshin në punë edhe nga jashtë, gjithnjë nëse ata pajiseshin me lejen speciale të qëndrimit nga autoritetet lokale.

Një çift të martuarish, zyrtarë të administratës lokale në ishullin jugor të Siçilisë, siguronin leje false për persona të ardhur kryesisht nga India, Bangladeshi dhe Pakistani, bëri të ditur policia përmes një deklarate.

Të paktën 500 persona kanë paguar kundrejt këtij grupi kriminal, në një biznes që mund të ketë siguruar rreth 7 milionë euro, shton më tej policia. Shumica e emigrantëve, pavarësisht se kishin siguruar hyrjen në Itali, nuk kanë punuar kurrë nëpër cirqe, deklaruan më tej forcat blu.

Edhe pse shumat e këtij biznesi janë të ulëta krahasuar me mashtrimin me emigracionin dhe fiksimin e kontratave, që është aktualisht në fokusin e një gjyqi kundër mafias në Romë, ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano shprehu keqardhjen mbi sinjalin më të fundit të korrupsionit politik në Itali, për të cilin edhe grupi ndërkombëtar antikorrupsion “Transparency International” theksoi muajin e kaluar se ishte në nivele “të padurueshme” në vendin e Apenineve.

“Është tepër zhgënjyese teksa vazhdojmë të zbulojmë raste korruptive në shoqëri, në administratën publike, që favorizon operacione mizerable”, tha Alfano përmes një deklarate. Më shumë se 18 cirqe dhe menaxherë të shumtë të shfaqjeve të tilla përdornin këtë skemë për të siguruar të ardhura të paligjshme.

Top Channel