PDIU, kërkesë qeverisë: Njihni vitet e punës së emigrantëve në Itali e Greqi

10/11/2015 00:00

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i ka kërkuar këtë të martë qeverisë, të nënshkruajë një marrëveshje për njohjen e ndërsjelltë të viteve të punës për efekt pensioni mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë.

Ka qenë pikërisht deputeti i PDIU-së, Omer Mamo, ai që i kërkoi Ministrisë së Mirëqenies Sociale përmes punimeve të Komisionit parlamentar të Çështjeve Sociale, nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve.

“Pse nuk bëhen marrëveshje të tilla me Italinë dhe Greqinë, kur efekti është i madh? Kemi mijëra shqiptarë në këto dy shtete, të cilët i kanë kontributet të ndara ndër vite mes dy vendeve dhe rrezikojnë pensionin në të dyja vendet. Dakord që po bëhet një gjë e tillë me Belgjikën, Maqedoninë, etj. Por në këto shtete, niveli i shkëmbimeve të qytetarëve është i ulët. Duhen parë këto dy vende, që janë prioritet dhe do të ndihmonin shumë emigrantët dhe bashkëkombasit tanë”, ka thënë Omer Mamo.

Kërkesa e tij është mbështetur edhe nga deputetja demokrate, njëherazi kryetare e komisionit në fjalë, Albana Vokshi. “Kur ju janë dashur emigrantët, keni mbushur autobusët dhe i keni sjellë këtu për votime, me premtimin që do t’u njihen pensionet. Ku jemi në këtë drejtim? Ky është një nga premtimet e pambajtura të qeverisë suaj”.

Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula tha se në këtë drejtim, po punohet me hapa më të shpejtë me Italinë.

“Janë rreth 11 shtete ku po zhvillohen marrëveshje, të cilat janë në faza të ndryshme të procesit, që duhet thënë se është goxha i vështirë. Ai fillon me një studim paraprak, vijon me tryezë bisedimesh, me ngritjen e grupeve teknike dhe politike, e deri te ratifikimi. Sa i takon Italisë, është përgatitur dhe i është dërguar palës italiane një studim i hollësishëm lidhur me pensionet, ku përfshihet numri i qytetarëve shqiptarë dhe ata italianë, që punojnë në mënyrë të ndërsjelltë, dhe kostot financiare të procesit. Jemi ende duke pritur reagimin e palës italiane. Sa i takon Greqisë, nuk kemi bërë përparime, pasi ky shtet ka aktualisht probleme ekonomike që dihen”, është përgjigjur Sula.

Top Channel