“Ndrangheta” mësyn Gjermaninë; mafiozët kanë ekzekutuar mbi 1000 të pafajshëm

10/11/2015 22:50

Mafia italiane  përveçse ka ekzekutuar në mënyrë misterioze jo vetëm objektivat që ka pasur në shënjestër, në të njëjtën kohë ka marrë jetën e 1120 njerëzve të pafajshëm.

Të dhënat vijnë nga grupi i antimafias Libera, në një investigim i shtrirë në 150 vitet e fundit. Sikurse tregohet edhe në hartë, zonat e kuqe janë edhe më të prekurat nga ekzekutimet e mafias italiane. Ndërkohë, një ish- kriminel i cili tashmë ka ndërruar rol dhe është kthyer në një dëshmitar për shtetin, rrëfen se po jeton në Siçili i mbërthyer nga frika, për shkak se policia nuk po e mbron.

Stefano Lo Verso, ish-shoferi i bosit të mafias Bernardo Provenzano, ka bërë thirrje për një revolucion në programet e mbrojtjes se dëshmitarëve, te cilat sipas tij, do të mbronin bashkëpunëtorët e policisë dhe do i lejonin ata që të jetonin në shtëpitë e tyre, në vend që “të mbijetonin” të ngujuar.

Laura Garavini, përfaqësuesja e Komisionit parlamentar italian të Antimafies,  tha për “The Independent” se është e pamundur mbrojtja e një bashkëpunëtori  pa vënë në funksion masat e sigurisë që përfshijnë transferimin e personave dhe ndryshimin e identitetit të tyre. Sipas saj, kjo është një nga arsyet kryesore se përse mafia italiane vijon të ketë fushën e veprimit të saj të lirë.

Ndërkohë, Policia Federale gjermane dhe autoritetet italiane të antimafias kanë konfirmuar se organizata mafioze “Ndrangheta” e ka shndërruar qytetin Erfurt nga një “strofull” jo shumë të njohur më parë, në një një qendër te madhe biznesi.

Sipas një raporti, “Ndrangheta” ka investuar rreth 100 milionë euro në Gjermani dhe në Europë nëpërmjet të ashtuquajturit “Erfurt Group”, i cili në vetvete është rrjet i pastrimit të parave të jashtëligjshme.

Grupi përbëhet nga 26 shtetas italianë të cilët i kanë përqëndruar investimet e tyre në biznese private, kryesisht restorante në Romë dhe Lisbonë. Tre prej tyre janë lokalet më të frekuentuar si “Il Passetto”, “Caffe Napoleon” dhe “Pallotta”.

Këto blerje tërhoqën vëmendjen e autoriteteve italiane dhe atyre gjermane, pasi vlerat e tyre kapin shifra marramendëse. Hetimet tregojnë se rreth 20 kompani dhe 30 restorante në të gjithë Gjermaninë janë të lidhur me grupin Erfurt në Leipzig, Dresden, Baden-Baden, Kassel, Mynih dhe Munster. 

Grupi i mafias “Ndrangheta”, është një rrjet krimi i organizuar në mbarë botën të bazuar në rajonin e Kalabrisë në Italinë jugore, ku aktiviteti i tyre kriminal përfshin prostitucion, mashtrime në kredi, shantazhe në këmbim parash, grabitje, trafik droge e armësh dhe qeniesh njerëzore, kryesisht fëmijë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel