Prezantohet pr/ligji i sigurisë publike

11/11/2015 10:30

Ministria e Punëve të Brendshme prezantoi këtë të mërkurë projektligjin për sigurinë publike, ku ndër pikat më të diskutuara është ajo që parashikon vendosjen e kamerave të sigurisë nëpër ambientet publike.

Në prezantimin e këtij projektligji me grupet e interesit, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri parashtroi para të pranishmëve arsyet dhe domosdoshmërinë për të instaluar kamera sigurie në shkolla, lokale nate, transport publik, taksi, qendra tregtare, pallate, biznese, pikat e shitjes së karburantit e të tjera.

Përmes këtij ligji, Ministria e Brendshme synon të rrisë efektivitetin në parandalimin e veprave të ndryshme penale dhe një pikë e rëndësishme në këtë pjesë janë kamerat e sigurisë si një detyrim për ambientet e parashikuara në këtë projektligj.

“Me këtë ligj arrijmë 3 gjëra, parandalimin e krimit, hetimin dhe rezultatin e hetimit në luftën kundër krimit. Parandalimi është kyç sepse shmangim të gjithë veprën penale. Mënjanojmë tërësisht pasojën e krimit për shoqërinë dhe për zhvillimin ekonomik në tërësi”, tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm shtoi se një hetim cilësor i ngjarjeve kriminale nga ana e Policisë së Shtetit, shmang rastet korruptive në sistemin e drejtësisë.

“Kështu ja bëjmë tërësisht të pamundur hallkave të korruptuara të drejtësisë që të vazhdojnë në korsinë e korruptimit për t’i vënë taksën korruptive të pasurit që nuk merr dënim dhe për të dënuar të varfrin që nuk ka mundësi”, shtoi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Tahiri tha se policia duhet dhe do të të jetë e hapur me qytetarët dhe shtoi se vrasjet janë ulur në nivelin historik dhe kjo cilësohet si një arritje.

“Duhet të bëjmë më shumë në luftën kundër korrupsionit në radhët e policisë. Në këto dy vjet jemi në rrugën e duhur që policia të jetë e hapur për qytetarët”, tha Tahiri.

Top Channel