Panairi i Librit u çel këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve dhe do të qëndrojë i hapur deri më datë 15 nëntor. Janë 107 shtëpitë botuese të cilat sjellin botime të reja dhe të tjera ekzistuese të zhanreve të ndryshme.

Një pjesë e botimeve janë në shitje me ulje nga 15% deri në 50%. Në çeljen e panairit ishin të pranishëm pjesëtarë të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe minsitrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Libri i parë që u prezantua ishte nga shtëpia botuese “Saras”, “Shpërngulja e të Vdekurve”, me autor Kim Mehmetin. Një roman i ambjentuar në një fshat imagjinar, por i bazuar në kujtimet e autorit mbi jetesën, besimin dhe zakonet e shqiptarëve të Maqedonisë. Rrëfimtarja e romanit është gjyshja e tij. Një zgjedhje e një figure femërore që përçon kujtesën, jo e rastësishme për Mehmetin.

“Historia shqiptare është ajo e individëve, e gjysheve tona, ashtu siç ishin, analfabete. Ato duhet të ishin një regjistër, që i kujton gjërat dhe di t’i rrëfejë mirë. Unë e them me bindje se, secila nga ato nëna do të ishte një shkrimtare më e mirë se unë”, u shpreh Mehmeti.

Ky botim, sipas botuesve, përpos vlerave artistike dallohet edhe për ato gjuhësore.

“Është një shqipe letrare, brenda standardit, e pastër, pa ndotje nga fjalët e huaja, me fjalë të zgjedhura. Një përfaqësues tipik i shqipes së sotme për mënyrën se si duhet të japë shembullin një shkrimtar për shkrimtarët e rinj”, vlerësoi administratori i përgjithshëm i “Saras”, Bajram Peçi.

“Është një libër për kujtesën tonë historike, i shkruar nga një njeri që beson se kujtesa është ajo çka shtyn përpara kombet dhe që nuk duhet humbur për të mos humbur identitetin tonë”, tha Alda Bardhyli, kryeredaktore në “Saras”.

Gjatë ditëve të panairit, përpos promovimeve të librave do të ketë edhe takime me autorë e workshope me tematikë librin e dixhitalizuar. 

Top Channel