Protestë para Kryeministrisë, studentët: Qeveria të tërhiqet nga reforma

11/11/2015 11:25

Studentë dhe pedagogë protestuan kundër reformës në arsimin e lartë, rritjes së tarifave universitare dhe dhunës së ushtruar sipas tyre, ndaj studentëve një javë më parë. Studentët marshuan nga Fakulteti i Shkencave Sociale për t’u tubuar për rreth dy orë përpara Kryeministrisë.

“Vezët e hedhura ndaj kryeministrit nuk ishin në asnjë çast qëllim në vetvete, por mjet i domosdoshëm për të çuar përpara rezistencën studentore. Sot ne dënojmë jo vetëm dhunën e paarsyetueshme të xhandarëve qeveritarë që duhen zbuluar dhe ndëshkuar prej institucioneve përkatëse, por edhe dhunën e rritjes absurde të tarifave”, u shpreh një studente.

“Çfarë mund t’u ndodhte atyre studentëve më shumë se u dhunuan, qoftë edhe psikologjikisht. Kryeministri duhet të dëgjojë, kërkojmë arsim publik falas që është e drejtë e çdokujt”, thotë një pedagog.

Pjesë e protestës ishin edhe aktivistë nga Kosova, të pranishëm edhe në incidentin e dhjetë ditëve më parë.

Ndonëse ligji për arsimin e lartë është miratuar dy herë në Kuvend disa muaj më parë dhe ka hyrë tashmë në fuqi, studentët i kërkojnë qeverisë tërheqjen e menjëhershme të reformës në arsimin e lartë, duke paralajmëruar protesta që sipas tyre do të paralizojnë jetën universitare.

Top Channel