Samiti i Maltës për refugjatët, BE ofron mld euro për vendet afrikane

11/11/2015 13:45

Në samitin e kësaj të mërkure, udhëheqësit e BE-së të mbledhur në Maltë pritet t’u ofrojnë vendeve të Afrikës miliarda euro, në këmbim të ndihmesës së tyre në frenimin e krizës së emigrantëve.

1,8 miliardë euro do të vijnë nga Komisioni Europian, i cili pret që edhe vendet e bllokut të bëjnë premtimet e veta për kontribute. Qëllimi i një nisme të tille është zbutja e problemeve ekonomike, si dhe të atyre të sigurisë, që po shkaktojnë eksodin masiv, si dhe bindja e vendeve afrikane, që të marrin mbrapsht më shumë prej azilkërkuesve të refuzuar.

Rrugëtimin e rrezikshëm përmes Mesdheut e kanë ndërmarrë këtë vit nga Afrika 150 mijë persona, pjesa dërrmuese e të cilëve kanë zbarkuar në Itali e Maltë. Samiti i sotëm ishte planifikuar që pas mbytjes së një anijeje me refugjatë në brigjet e Libisë në muajin prill, ku humbën jetën gati 800 vetë.

Por nga atëherë, fokusi i BE-së është spostuar në Lindjen e kontinentit të vjetër, ku emigrantët – kryesisht sirianë – vërshojnë papushim prej muajsh, duke mbërritur si fillim në Turqi e Greqi, për të vazhduar udhëtimin drejt veriut të Europës përmes vendeve të Ballkanit.

Më shumë se 60 udhëheqës nga Europa dhe Afrika do të diskutojnë përgjatë takimit dyditor në Valeta të Maltës mbi lëvizjet masive të njerëzve, që e kanë vendosur bllokun europian përballë presionesh të mëdha, aq sa ministri i Jashtëm i Luksemburgut profetizoi të hënën kolapsin e BE-së, nëse ky ngërç nuk merr fund.

Në fjalën e mbajtur përpara Parlamentit maltez në vigjilje të samitit, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk u shpreh se, plani i udhëheqësve europianë është të arrihet më tepër progres në uljen e varfërisë dhe parandalimin e luftrave.

Ai shtoi se deri në 2050-n, popullsia e Afrikës pritet të dyfishohet dhe se, në këto kushte, veprimi është i domosdoshëm, sidomos duke parë darën në të cilën e kanë vendosur solidaritetin europian, refugjatët që mbërrijnë nga vatrat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Korrespondentët e huaj mendojnë se, në këmbim të ndihmës për zgjidhjen e krizës, krerët afrikanë do të këmbëngulin në krijimin e një rruge, e cila t’i lejojë një numri më të vogël qytetarësh të tyre emigrimin e ligjshëm në Europë.

Top Channel