Takim Veseli-Lunaçek: Duhet dialog për integrimin

11/11/2015 13:45

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim nënkryetaren e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, dhe ka folur edhe njëherë për gjendjen aktuale në vend dhe rajon, dialogun dhe sfidat e Kuvendit në procesin e euro-integrimeve.

Kryeparlamentari Veseli ka njohur Lunaçekun me agjendën legjislative, vështirësitë aktuale, nënshkrimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, rëndësinë e procesit të dialogut, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Jemi në fazën kur dialogu dhe mirëkuptimi pozitë-opozitë është çelësi i vetëm i ecjes përpara me agjendën tonë në procesin e euro-integrimeve. Kemi ofruar vazhdimisht mundësi që të diskutojmë pa kufizime për çështjet e ngritura nga opozita, sepse jemi në situatë kur imazhi i vendit është luhatur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm”, theksoi Veseli.

Lunaçek theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet qeverisë dhe opozitës, duke e vlerësuar të domosdoshëm edhe dialogun politik ndërmjet partive politike për normalizimin e jetës institucionale.

Top Channel