Vlorë, sekuestrohen 808 kg hashash

11/11/2015 13:55

Policia e Vlorës ka sekuestruar 808 kg lëndë narkotike kanabis sativa në Radhimë. Sipas burimeve zyrtare, një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Në vendin e quajtur Cikodhimë, uniformat blu kanë kapur një furgon me targë AA 619 AJ ku u gjet dhe sasia e lëndës narkotike. Menjëherë pas një operacioni të përbashkët të policisë së Vlorës, policisë kufitare, dhe të strukturave të policisë italiane, është ushtruar kontroll në det dhe në tokë.

Vetëm 1 km larg furgonit policia ka gjetur të braktisur një mjet lundrues gomone, 8 metra të gjatë me dy motor. Në gomone janë gjetur edhe 5 bidona me karburant.

Gjithashtu afër gomones në vendin e quajtur Bar Restorant “Gjimaraj” u gjetën 7 çanta të hedhura në breg të detit, brenda të cilave kishte kanabis sativa. Droga ishte ndarë në 40 pako të mbështjella me letër plastike të dukshme.

Policia ka arrestuar në flagrancë Alban Koshin, 48 vjeç, pronari i furgonit, si dhe ka shpallur në kërkim pronarin e mjetit lundrues, R. M, 42 vjeç nga Vlora. Hetimet vijojnë për përfshirjen e të tjerë personave në këtë rrjet trafikimi.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel