BSH do vazhdojë me stimulin monetar

11/11/2015 14:50

Interesat e kredive apo depozitave në treg nuk pritet të rriten të paktën edhe për vitin tjetër. Si rrallëherë më parë, Banka e Shqipërië deklaroi se stimuli monetar do të mbetet i fortë edhe gjatë vitit 2016 dhe se cikli rritës i normave të interesit nuk pritet të fillojë përpara 2017-ës.

Ky është një mesazh i fortë, përmes të cilit institucioni që qeveris sistemin financiar, synon të orientojë tregun, por edhe bizneset dhe individët se do vazhdojë ta mbajë çmimin e lekut në minimumin historik për të mbështetur investimet dhe rritjen ekonomike. 

Banka parashikon se rritja ekonomike do të vijë duke u forcuar gjatë viteve të ardhshme. Por, sipas saj, ekonomia do ta arrijë prodhimin potencial vetëm në vitin 2018-të dhe kjo kërkon që normat e interesit të mbeten të ulta përgjatë gjithë horizontit afatmesëm. 

Norma bazë e interesit, ose ndryshe kostoja me të cilën Banka e Shqipërisë u jep kredi bankave private, është aktualisht 1.75 përqind që përbën minimumin historik të të gjitha kohërave.

Ky tregues është baza mbi të cilin përcaktohen interesat e depozitave, por edhe ato të kredive në lek që bankat private japin për biznesin dhe invidët. Rënia e normës në këtë minimum është rezultat i 14 uljeve të njëpasnjëshmë, edhe ky një tjetër rekord historik, që Këshilli Mbikqyrës ka ndërmarrë përgjatë dy viteve të fundit.  

Komunikimi në avancë i kursit të politikës monetare është shndërruar së fundmi në një nga instrumentat kryesorë, përmes të cilit bankat qendrore në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim përpiqen të nxisin aktivitetin ekonomik dhe të ulin pasiguritë në treg.

Një ditë më parë Guvernatori deklaroi se pasiguria është arsyeja kryesore që po mban të ndryshkur konsumin dhe investimet në ekonomi. Përballë kësaj situate duket se Banka e Shqipërisë po përdor të gjithë arsenalin dhe instrumentat që ka në dispozicion për të inkurajuar konsumin dhe investimet e reja në ekonomi.

Top Channel